Bizantologu gjerman Peter Shcreiner ka marrë pjesë në Kuvendin Ndërkombëtar të Albanologjisë me një studim për atë që e quan “Historia e një thesari shqiptar, Ungjilli i Korçës”. Studimi i tij ka në vëmendje kodikun nr 93 të Korçës dhe ecejaket e tij disashekulkullore.
Peter Schreiner tha për “News 24” se bëhet fjalë për “një dorëshkrim që është greko bizantin e që gjendet prej të paktën 3 shekujsh në territorin shqiptar. Është gjetur në Korçë dhe është dorëshkrim i rëndësishëm sepse ka miniatura të shekullit të 10 dhe është shkruar në fillim të periudhës më të rëndësishme të historisë kulturore bizantine, që është shekulli i perandorit Kostandin Porfirogjenti”.

Schreiner që ka qenë pedagog në Koln dhe president i shoqatës ndërkombëtare të studimeve bizantine, ka gjetur gjatë hulumtimeve të tij, edhe zotëruesit e dorëshkrimit.
“Në fillim i përkiste një tregtari të pasur i cili ia shiti atë një manastiri të famshëm në Kostandinopojë, që e ruajti për 3 shekuj. Më pas u tranportua prej aty në Epir, e paqartë se ku, por mendohet se ai i përkiste një koleksioni me dorëshkrime të rëndësishme në manastirin ku u ruajt. E quaj thesar sepse bën pjesë në këtë koleksion ungjijsh që janë gjetur në Korçë e që janë në Shqipërinë e sotme thesar të simbiozës mes kulturës bizantine e shqiptare mesjetare”.

Kodiku nr.93 i Korçës ruhet në Arkivin e Shtetit në Shqipëri. Schreiner beson se ky Ungjill i përkiste një tregtari të pasur shqiptar te shekujve të fundit që po ashtu e shiti, njësoj si tregtari i pasur i shek të X që e shiti atë duke kërkuar që dorëzimi në manastir të bëhej pas vdekjes së tij. Schreiner sheh vlera artistike e historike në këtë dorëshkrim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb