TIRANE-Këngëtarja 29-­vjeçare, Xhesika Ndoj, është kthyer në qendër të vëmendjes dje pas një incidenti me policinë. Vajza që u komentua gjatë ditët e fundit pas deklaratës së saj që një deputet i kishte ofruar para për të kaluar një natë me të, ka pasur një vizitë nga policia në banesën e motrës së saj në Unazë të Re. Aty ka nisur edhe historia, që në fakt rezultoi e trilluar. Ngjarja u publikua dje gjerë e gjatë në mediat online, ku flitej për një mashkull vetëm me të mbathura, që ishte gjetur i fshehur në dollapin e Xhesika Ndojit, në shtëpinë e saj në Unazën e Re.

Në fakt, mashkulli i vetëm që Policia gjeti në adresën ku u lajmërua se kishin hyrë për të grabitur, ishte vetë kunati i këngëtares, 38­ vjeçari Bardhok Pepa. Ai dyshohet se kishte telefonuar vetë në numrin 129, duke denoncuar grabitjen dhe po vetë kishte qëndruar në shtëpi, deri sa ka mbërritur Policia që e ka shoqëruar.

Të dy palët fillimisht kanë bërë sikur nuk e njihnin njëri­tjetrin, si Xhesika, ashtu edhe kunati i saj, në mënyrë që të mos dilnin në pah problemet familjare që ata kishin. Por mbrëmjen e djeshme situata është sqaruar dhe rezultoi që shtetasi Bardhok Pepa, gjithçka e ka sajuar vetë në shenjë hakmarrjeje. Shkak ka qenë fakti se motra e Xhesikës, Shpresa, me të cilën ai ka dy fëmijë, kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje dhe po niste procedurat e divorcit me të. Zënkat kanë nisur para një muaji mes Pepës dhe bashkëshortes dhe prezente ka qenë edhe këngëtarja 29­vjeçare. Madje, duke dashur të mos ndërhyjë në problemet e çiftit, ajo ka udhëtuar në drejtim të Kosovës. Por kur është kthyer, situata dukej po njësoj dhe problemet vazhdonin.

TELEFONATA NE POLICI
Mesditën e së mërkurës, në sallën operative të Policisë së Tiranës ka mbërritur një telefonatë, që denonconte një grabitje të mundshme në apartamentin ku banon këngëtarja Xhesika Ndoj, në zonën e Unazës së Re. Telefonuesi i është prezantuar operatorit të Policise sikur ishte një fqinj i Xhesikës dhe kishte parë derën e shtëpisë së hapur e dyshonte se mos ishin futur hajdutët. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr.6, që kanë gjetur në apartamentin në fjalë shtetasin Bardhok Pepa, 38 vjeç, i cili fillimisht ka thënë se ishte një simpatizant i këngëtares dhe po e priste që ta takonte. Ai është shoqëruar për të dhënë shpjegime në komisariat, ku është thirrur edhe këngëtarja. Në përballjen e parë para policëve, të dy palët kanë thënë se nuk e njihnin njëri­tjetrin. Por në fakt situata është sqaruar nga dy denoncime që kishte bërë aty motra e Xhesikës, Shpresa Pepa, e cila është bashkëshortja e Bardhok Pepës. Ajo kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje, pasi pretendonte se i shoqi e dhunonte fizikisht e psikologjikisht.

(d.b/Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: