Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës ka realizuar një intervistë ekskluzive me Reporterët pa Kufij në lidhje me raportin e publikuar mbi lirinë e shtypit në botë.

Reporterët pa Kufij kanë evidentuar se krijimi i Agjencisë për media dhe Informim nga ana e mazhorancës, ka krijuar centralizim të komunikimit të qeverisë.

Një nga problematik të cilat shihen shqetësuese, është edhe sulmet verbale ndaj gazetarëve nga kryeministri Edi Rama.

Pjesë nga intervista:

Reporterët pa Kufij (RSF): Në renditjen e Shqipërisë treguesi politik , siç e thashë, ka pësuar rënie në notë. Kjo vjen sidomos nga politika e centralizimit të komunikimit të pushtetit në Shqipëri.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Më konkretisht, çfarë nënkuptoni kur përmendni në raport termin “centralizim i komunikacionit” nga qeveria shqiptare?

Reporterët pa Kufij (RSF): Me këtë shënjestrojmë krijimin e Agjencisë së re qeveritare të komunikimit, e cila centralizon komunikimin e qeverisë. Kjo ngre shqetësime te gazetarët shqiptarë. Pa dyshim kjo shpjegon edhe rënien e notës së treguesit politik në raport. Unë insistoj për këtë. Elementi i dytë janë sulmet verbale ndaj gazetarëve, për të cilat fola, që janë kryer kryesisht në gjysmën e parë të vitit. Mendoj se pas takimit që kemi pasur me kryeministrin Rama, ai u ndal pak.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Për cilin gazetar e keni fjalën për sulmet verbale ?

Reporterët pa Kufij (RSF) : Bëhet fjalë për gazetarin Klevin Muka, të cilit Kryeministri Rama i tha të dërgohet për “riedukim” dhe iu ndalua për tre muaj pjesëmarrja në konferenca shtypi me qeverinë.

Kur e ngritëm këtë shqetësim me kryeministrin, ai na u përgjigj se është humor. Nga ana tjetër, ne e kemi paralajmëruar se gazetarët nuk e konsiderojnë aspak këtë si humor.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : A ka ndonjë vend tjetër që ka një agjenci të ngjashme qeveritare komunikimi ? Cila është veçantia negative shqiptare në këtë rast?

Reporterët pa Kufij (RSF) : Mendoj se ka një shqetësim mes gazetarëve se centralizimi i komunikimit sjell një bllokim të aksesit në informacion. Kjo lidhet me faktin se mediat shqiptare marrin materiale tashmë të përgatitura paraprakisht nga kandidatët dhe partitë politike. Kjo eliminon mundësinë që gazetarët të marrin në pyetje kandidatin dhe të kenë një qëndrim kritik ndaj tij. Kthehet në problem kur komunikimi zëvendëson gazetarin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb