Gjithshka që ka shoqëruar publikimin e të dhënave personale, që nga database e parë e patronazhistëve që u përdor nga makineria elektorale e qeverisë gjatë fushatës së zgjedhjeve të prillit të vitit të kaluar (që nuk u investigua kurrë!), tek pagat, dhe me gjasa edhe shumë informacioneve të tjera personale, vështirë të gjesh një epitet të përshtatshëm ta përshkruash në shmëtinë dhe neverinë e vet. Neveria nis që nga “mëkati fillestar”, ai i disponimit të të dhënave nga “dikush” dhe publikimi i tyre. U trondit besimi tek shteti, tek institucionet publike i cili edhe pa ndodhinë e ngjarjeve të tilla minuese, ka qenë i tronditur.
Por, e neveritshme deri në pështirosje ishte shfaqja kallp e kalbëzimit të sistemit ekonomik e social që është ndërtuar në këto vite tranzicioni. U shfaqën personazhe dhe figura të njohura publike nga bota e artit e medias, nga biznesi dhe politika, nga të gjitha grupet sociale, të cilët raportonin të ardhura mujore sa dy paga “fasonisti” ndërkohë që jetojnë në vila luksoze në periferinë e kryeqytetit dhe pagat e deklaruara nuk mjaftojnë vetëm për të paguar bahçevanët dhe rojet e sigurisë që rrethojnë këto oaze imituese të “botës së parë” brenda “botës së tretë”.

Ky nivel informaliteti në tregun e punës ku 60% e të punësuarve deklarojnë paga nën kufirin e tatueshëm është absurd. Nga ana tjetër, u zbuluan paga marramendëse të cilat shkonin deri në 2,400 herë më të larta se paga minimale në ekonomi, e cila raportohet nga 38% e popullsisë punëtore (ose 1 në 2.6 të punësuar). Raporti i pagës së një CEO me pagën mesatare në një biznes në SHBA, vendi me pabarazi të larta, është rritur nga 1:20 në vitet 1950, deri në 1:120 në vitet 2000 sipas një raporti të Bloomberg. Sigurisht që e dhëna e botuar nga raporti pagave mund të jetë rastësore dhe mund të mos përgjithësohet, por sërish u pa se ka një koncentrim mjaft të lartë të pasurisë, ku sipas një analize të Monitor, vetëm 0.14% e të punësuarve deklarojnë paga që mund të klasifikohen si shtresa e pasur e popullsisë. Por, ky raportim sërish maskon pabarazinë e vërtetë në vend. Procesi i akumulimit të të ardhurave të larta dhe investimeve të tyre në pasuri çmimet e të cilave janë rritur në mënyrë të ndjeshme përgjatë viteve, dëshmojnë për pabarazi në nivele të pasuportueshme nga ana sociale. Në një studim të kryer një vit më parë me mbështetjen e fondacionit Friedrich Ebert, rezultoi se perceptimi i publikut mbi pabarazinë në vend, është në nivele kritike. Për më tepër, rreth 90% e të intervistuarve besonin se pasuria e krijuar nga të pasurit është e pamerituar, e krijuar përmes proceseve joligjore dhe praktikave të korruptuara.

Një tjetër konfirmim ishte ai i përdorimit të institucioneve publike si prona personale të titullarëve të tyre. Duke filluar që nga bashkitë, tek institucionet buxhetore dhe jobuxhetore publike, tek ministritë dhe deri në majën e piramidës, u zbuluan lista të stërgjata individësh që paguhen me paratë e taksapaguesve si “këshilltar”, “koordinator”, që në fakt janë thjesht sekser të shefave ose “imazherist” që të bëjnë djallin ti duket publikut si engjëll. Fatkeqësisht ky fenomen nuk kufizohet vetëm tek institucionet publike; sipërmarrje private me moral të dyshimtë dhe të neveritshëm në sytë e publikut, u pa të paguanin më shumë median dhe opinionbërësit se sa stafin e tyre profesionist.

Ajo çfarë kemi parë deri tani janë vetëm një copëz e vogël në morinë e miliona e miliarda transaksioneve të përditshme që kryhen në ekonomi. Po të lexosh të dhënat e bilanceve kontabël të kompanive dhe pasqyrat e humbje-fitimeve, shikon kompani gjigande në vend që zotërojnë sektorë të tërë të ekonomisë, por që raportojnë me vite të tëra humbje dhe nuk paguajnë asnjë qindarkë ose që paguajnë tatime minimale. Një ndryshim absurd diku nga viti 2015 në mos gaboj në ligjin për tatimin mbi të ardhurat i lejon kompanitë të transferojnë humbjet për gati 8 vite nëse fitimet i përdorin për riinvestim. Dhe kështu këto kompani superfitimet që gjenerojnë nga një linjë biznesi i përdorin për të blerë biznese të tjera ose brenda industrive ku janë (duke krijuar qartazi pozita monopoliste), ose duke shtënë në dorë sektor të tjerë të ekonomisë. Në vend që superfitimet ti përdorin për të modernizuar biznesin që i ka siguruar këto fitime, duke sjellë teknologji konkuruese dhe punëtori të kualifikuar dhe mirëpaguar. Kjo gjendje e konkurencës në treg vazhdon të jetë shqetësuese prej kohësh. E gjithë ekonomia e vendit qëndron e lidhur fort me fatin e pesë apo gjashtë biznesmenëve, një falimentim i mundshëm i të cilëve mund të prodhonte pasoja shumë të rënda për ekonominë kombëtare. Kjo gjendje e gjërave e mbështet edhe perceptimin e publikut se shteti është në funksion të “oligarkëve” dhe jo të shoqërisë (më shumë se 75% e qytetarëve kanë këtë perceptim). Problemi është se gjendja e financave publike me nivelet e të ardhurave buxhetore nuk lejon një veprimtari normale të shtetit për të bërë politika ekonomike dhe sociale. Nëse qytetarët fshehin të ardhurat dhe bizneset gjithashtu bëjnë të njëjtën gjë, atherë si do mundësohet axhenda zhvillimore e vendit?

Eshtë e paimagjinueshme që vetë Kryeministri të mos ketë qenë në dijeni të kësaj gjendjeje të nënraportimit apo të imoralitet social që u shfaq nga të dhënat e botuara. Drejtoria e tatimeve ka njësi të posaçme të hetimit tatimor, institucionet e krimit ekonomik, antikorrupsionit, etj., janë të gjitha aty dhe me akses në çdo informacion ekonomik e tregtar. Vallë nuk kanë bërë asnjë hetim për asnjë individ? Nuk e dinë se çfarë ndodh çdo ditë në treg, sa fitime krijohen dhe sa raportohen? Kjo është e pafalshme që të ndërmarrësh tani një “aksion” për të vënë drejtësi në fushën tatimore duke u nisur nga një indicie e tillë, kur strukturat shtetërore i kanë patur përherë para syve këto të dhëna. Tani thjesht u zbulua para publikut paaftësia totale e institucioneve të shtetit, në rastin më të mirë, dhe në rastin më të keq, korrupsioni i lartë midis zyrtarëve publik. E gjithë kjo ka ushqyer përditë përhapjen e një korrupsioni të thellë financiar e moral mes segmenteve të gjera të shoqërisë, duke deformuar të gjithë sistemin tonë shoqëror.

Dëmi i krijuar është i jashtëzakonshëm; besimi shoqërisë tek sistemi i sotëm ekonomik, politik e shoqëror është tronditur më shumë se kurrë. Përdorim të dhënat personale për qëllime politike dhe godasim demokracinë; përdorim të dhënat personale financiare dhe godasim ekonominë si dhe krijojmë tensione të brendshme sociale. Në këtë mënyrë kemi minuar në mënyrë të pariparueshme shpresën për të ardhmen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: