TIRANË- Deputeti socialist Erjon Braçe i ftuar në News24 në rubrikën “Opinion” tha se situata në parlament është anormale por pa një kauzë. Përsa i përket protestës së sotme të PD-së, Braçe tha se “për herë të parë opozita ka kaluar ylberin, pasi është e dyta protestë që s’ka dhunë por është e mbështetur në një kauzë banale”.

“Do doja të vlerësoja shumë. Për herë të parë opozita ka kaluar ylberin. E dyta protestë që nuk ka dhunë, por e mbështetur në një kauzë banale. Do ta vlerësoja shumë po të kishte kaos, për fat të mirë nuk ka kaos, ndaj dhe protesta zgjati më pak se seanca”, tha Braçe.

Braçe është treguar kritik ndaj opozitës që sipas tij nuk po justifikon votën e qytetarëve duke deklaruar se ajo duhet të fokusohet tek detyrat që ka.

“Ne e kemi pasur protestën si bukën që hamë që pas 2005-ës. Kam përshtypjen se në protestë nuk shkon e krehur e pispillosur, se atje normalisht ngjishesh. Siç kishte ardhur Topalli. Situata në parlament është tërësisht anormale dhe pa shkak. Nëse do kishte një kauzë, natyrisht që do të kishte edhe një arsye për ta motivuar, por kur nuk ka kauzë apo është e mbështetur në një kauzë banale, situata është anormale. I kemi lënë kohën dhe hapësirën opozitës për të folur. I kemi dhënë opozitës edhe përgjegjësi të tjera, veç atyre që ka marrë, siç është procesi i integrimit. Unë kuvendin e kam punë. Unë shkoj në parlament për të punuar, për të bërë atë punë për të cilën më kanë votuar. Nuk mund të bëj në parlament, gjëra që nuk kanë lidhje me punën. Situata që është krijuar në parlament, po e zhbën këtë pikëpamje. Puna ka një vit që bëhet dhe është ajo që bëjmë ne. Në dorë kemi 5 ligje të rëndësishme. Një prej tyre për lojërat e fatit. Opozita të fokusohet tek detyrat që ka”, u shpreh Braçe.

Ai i ka quajtur “histori banale” akuzat e deputetit Tom Doshi, ndërsa sqaroi se mocioni i opozitës për dorëheqjen e Metës, nuk është shqyrtuar, për shkak të mungesës së deputetëve të djathtë në kuvend. “Të harxhosh ditën me historira banale… Mocioni ndaj Metës i bllokuar pasi Këshilli i Legjislacionit kryesohet nga Halimi, opozita nuk vjen në kuvend. Po kërkohet të krijohet një precedent kriminal. Ne kemi pasur ngjarje reale, me të vrarë dhe nuk është dorëhequr askush”, tha Braçe.

Në lidhje me mbledhjen e grupit të PS-së, ku u mor vendimi për përjashtimin e deputetit Tom Doshi, Braçe tha se gjithçka është bërë transparente në media.

“Jo vetëm atë ditë por edhe të nesërmen janë zbardhur të gjitha dialogët e mbledhjes së PS-së. Kryeministri Rama ka thënë në mbledhjen e grupit atë që bëri publik dhe janë të shpjeguara arsyet pse Rama i kërkoi grupit parlamentar të lironte deputetin nga marrëdhënia me grupin. Ishin 4-5 arsye të vendosura qartësisht. Deputeti është larguar vetë nga mbledhja dhe është bërë valide ajo që kërkoi kreu i PS-së. Në mbledhjen e grupit të PS-së çdo gjë është bërë transparente”, tha ai.

Në lidhje me takimet e shpeshta që janë bërë mes krerëve të shtetit dhe Kryeprokurorit apo edhe mes Ramës dhe Metës, Braçe tha se çdo gjë është mëse normale.

“Sipas ligjit, nuk duhet të shkonte kryeministri në Prokurori, por prokurori tek kryeministri. Kësaj radhe ka ndodhur krejt e kundërta. Për takimin në kryesi, prej muajsh çdo të mërkurë kryeministri takohet me kreun e kuvendit. Janë takime normale pune”, tha Braçe.

Ai tha gjithashtu se Gjykata e Lartë duhet të vendosë një precedent për të dënuar shpifjet që bëhen nga deputetët në parlament.

“Gjykata e Lartë duhet të vendosë një precedent që të lirojë nga shpifjet parlamentin e Shqipërisë. Në parlament thuhen shpifje por nuk hetohen. Të vendoset precedentë që askush në sallën e parlamentit të mos shpifë. Unë nuk e kam bërë ndonjëherë këtë në sallën e kuvendit. Edhe kur më dërgoi dikush në gjykatë, u tërhoq në apel. U kam qëndruar një për një atyre që kam thënë”, tha Braçe.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: