NGA GERILINA KODHELI

Janë të rrallë artistët që arr ijnë të godasin në shenjë që me tentativën e parë. Por, një ndër këta është Butrint Imeri, i cili sapo u prezantua në tregun e muzikës shqiptare me këngën “Ki me lyp”, fitoi zemrat e të gjithëve. Kënga hit, e realizuar në bashkëpunim me DJ Blunt dhe Real 1 ka një fabul mjaft interesante pas vetes… “Një vajzë ia ka arritur të më thyejë zemrën dhe asaj i kam dedikuar këngën ‘Ki me lyp’, por histori e vjetër dhe e harruar”, tregon këngëtari në këtë intervistë për “Summer Pages”.

I përfolur për një romancë me prezantuesen e “Select”, Kiara Tito, Butrinti shpjegon se gjërat nuk janë ashtu siç duken. “Absolutisht asgjë! Marrëdhënia ime me Kiarën është shtrembëruar nga mediat, kur në fakt nuk ka asgjë më shumë se miqësi”, thotë këngëtari, i cili nuk mohon faktin që i pëlqen të flirtojë me koleget dhe vajzat e bukura që i afrohen.

Butrint, këtë vit duket se e ke marrë shumë seriozisht punën. Ke lançuar disa këngë deri tani, të shoqëruara me klipe. Edhe sa të tjera do publikosh deri në fund të vitit?
Është e vërtetë që këtë vit po vij me më shumë projekte dhe kam zgjedhur këtë mënyrë, pasi kisha kohë që përgatisja këngë, të cilat tani mendoj që është momenti t’ia prezantoj publikut. Deri në fund të vitit planifikoj të publikoj edhe 3 projekte të reja, ndoshta më shumë.

Cila është muza jote? Ku e gjen frymëzimin?
Deri para disa kohësh frymëzohesha nga Justin Timberlake, por tani mendoj se kam krijuar një stil timin, të cilin natyralisht po e ndjek.

Je ende në fillim të karrierës, por shumë i suksesshëm. Çfarë beson se pëlqejnë kaq shumë tek ty?
Kam pak më shumë se një vit që jam pjesë e industrisë muzikore dhe çdo ditë e më shumë e vë re se çdo hap ia ka vlejtur, pasi suksesin po e përjetoj çdo ditë. Besoj se përveç zërit, stili im është ai që më veçon dhe që u pëlqen fansave.

Një ndër këngët e tua të fundit është bashkëpunimi me Eleni Foureira. Si u njohët dhe arritët marrëveshjen për duet?
Bashkëpunimi erdhi si ide e stafit tim për një këngë, e cila ishte në versionin shqip dhe pasi ia propozuam Elenit, ka pranuar menjëherë.

Të tërhoqi më shumë si këngëtare, apo si femër?
Të dyja. Eleni është artiste shumë e arrirë në skenë dhe performancat e saj janë me të vërtetë për të të mbetur në mendje.

Kohëve të fundit je në qendër të vëmendjes së femrave. Të ka bërë muzika më të suksesshëm me vajzat?
Po, më ka bërë shumë më të suksesshëm, edhe pse punët personale me femrat nuk i kam pasur asnjëherë keq.

Të ka ndodhur që të të propozojë vetë ndonjë vajzë?
Po, shumë herë.

Cili është flirti yt më i fundit?
Flirti i fundit? Para pak minutash në plazh në Ulqin, ku po pushoj këto ditë.

Kush është vajza që ta ka thyer zemrën?
Njëra ia ka arritur dhe asaj i kam dedikuar këngën “Ki me lyp”, por histori e vjetër dhe e harruar.

Dukesh natyrë romantike. Cili ka qenë gjesti më romantik që ke bërë deri më sot?
Për personin që dua mund të bëj gjithçka. Gjesti më romantik është që i kam dedikuar një koncert live akustik.

Me Kiara Titon…? Çfarë ka mes jush?
Absolutisht asgjë! Marrëdhënia ime me Kiarën është shtrembëruar nga mediat, kur në fakt nuk ka asgjë më shumë se miqësi.

Ke pasur flirt me ndonjë kolege?
Unë femrat e bukura nuk mund t’i largoj lehtë pa pak flirt, kështu që edhe me koleget do të gënjeja nëse do të thosha që nuk ka pasur diçka.

Në lidhje je xheloz, apo indiferent?
Xheloz. Sa më shumë të të dua, aq më shumë xheloz jam.

Zakonisht i kërkon ti ndarjet, apo vajzat të kanë lënë?
Zakonisht i lë unë.

Na trego ndonjë detaj për këngën tënde të radhës…
Do të jetë tepër ritmike dhe shumë e kërcyeshme. Mbi të gjitha, ka një lojë fjalësh, që besoj do të bëhet refren i të gjithëve. Me shumë mundësi do të jetë bashkëpunim, por këtë nuk e kam vendosur.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: