Gent Cakaj, që deri më sot ka mbajtur postin e ministrit të Jashtëm, ka dorëzuar detyrën tek ministrja e re e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka.

Me anë të një postimi në “Facebook”, Cakaj shprehet se do jetë mbështetësi më i madh i Xhaçkës, ndërsa shton se këtë gjë do ta bëjë që Shqipëria të përfaqësohet kudo me shkëlqim sa më të plotë.

Postimi i Gent Cakaj:

Sot, edhe zyrtarisht, kam dorëzuar detyrën në duart e vyera të Olta Xhaçkës.

Nga dita e sotme nuk do të jem thjesht një paraardhës politik i Oltës, por mbështetësi më i madh i saj, që ajo ta përfaqësojë Shqipërinë denjësisht e me shkëlqim të plotë, me arritje të rralla e paraqitje të fortë në fushën e politikës së jashtme.

Për përkushtimin, devotshmërinë e profesionalizmin tënd, e dashur Olta, s’kam as më të voglin dyshim. Prandaj, të uroj nga zemra vetëm punë të mbarë e suksese të panumërta në rrugëtimin tënd si zonjë e hekurt, kryediplomatja e Shqipërisë. Do jem pranë teje sa herë e kërkon puna e në shërbim të Shqipërisë sa herë e kërkon nevoja.

Ndërkohë, patjetër, mbetem tepër krenar e ballëlartë për të gjitha arritjet e këtyre viteve të fundit, duke filluar nga forcimi i faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për punën e jashtëzakonshme në Luginën e Preshevës dhe ngritjen e pashembullt të zërit në mbrojtje të interesave të Republikës së Kosovës, vendimi për çeljen e bisedimeve për anëtarësim në BE, kryesia e suksesshme të OSBE-së e deri te afrimi historik për marrjen e ulëses jo të përherëshme në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023.

Puna ime për Shqipërinë, natyrisht, nuk përfundon këtu. Përpjekja ime sot thjesht ndryshoi trajtë. Shqipëria për mua do të mbetet ëndrra që do t’i detyrohem për jetë.

FALEMINDERIT SHUMË!

SUKSESE E PUNË TË MBARË OLTA!

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb