Në karrierën e tij ka fituar dhe ka shënuar shumë. Por asgjë nuk krahasohet me triumfin në finalen e Champions të vitit 1999, kur me dy gola në shtesë, një prej të cilëve të shënuar nga Ole Guannar Solskjaer, Manchester United mundi Bayern Munich. Tashmë në rolin e trajnerit, norvegjezi kthehet me “Djajtë e Kuq” në të njëjtin stadium ku jetoi suksesin e madh. “Camp Nou” i sjell fat dhe Solskjaer shpreson që ai të ndihmojë edhe skuadrën e tij të përmbysë Barcelonën, pas humbjes në sfidën e parë.
“Nuk mund të mendojmë se fati do na buzëqeshë gjithmonë. Gjithsesi, është e vërtetë që ky stadium më sjell kujtime dhe emocione të bukura. Por kualifikimin duhet ta fitojmë në fushë. Duhet një sforco shumë e madhe kundër versionit më të mirë të Barcelonës në vitet e fundit”, është shprehur Solskjaer, që përveç mungesave të njohura dhe të kahershme do të ketë në dispozicion të gjithë grupin e lojtarëve.
(balkanweb)