Ish-zv/komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, ka folur mbi çështjen e kufirit detar me Greqia dhe zhvillimet që lidhen me negociatat mes dy vendeve, si dhe kontekstin rajonal që përfshin edhe Turqia.
I ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, Meçollari deklaroi se negociatat për çështjen e detit janë ndërprerë në vitin 2018.
“Në vitin 2018 negociatat i ndërpreu kryeministri Edi Rama. I ndërpreu sepse nuk mori drejtimin e grupit negociator. Kjo është çështje përgjegjësie,” u shpreh ai.
Sipas Meçollarit, zhvillime të tjera kanë ndodhur në vitin 2020, të lidhura me një iniciativë më të gjerë rajonale.
“Ndodhi diçka tjetër. Kryeministrit Rama iu bë një ofertë për të qenë negociator mes Greqisë dhe Turqisë që të zgjidhnin çështjen e tyre në Hagë. Që të nxitej kjo iniciativë dhe të merrte kreditet, duhej që Greqia të hiqte një klauzolë,” tha ai.
Ai shpjegoi se kjo lidhet me një dokument të depozituar nga Greqia në gjykatat ndërkombëtare.
“Në vitin 2015 Greqia ka dorëzuar një instrument në Gjykata e Hagës dhe në Hamburg, ku shprehet se nuk i njeh këto gjykata për çështjen e detit. Pra, ajo është vetëpërjashtuar nga këto gjykata për këtë çështje,” deklaroi Meçollari.
Sipas tij, në këtë kontekst, Shqipëria është parë si një element që mund të luajë rol në procesin më të gjerë rajonal.
“Me qëllim që Rama të përdorej si katalizator për Greqinë dhe Turqinë, u përdor Shqipëria që të shkojë në Hagë si pararendëse e tyre,” u shpreh ai.
Në fund, Meçollari ngriti pikëpyetje mbi pasojat që mund të ketë një proces i tillë, duke theksuar se dërgimi i çështjes në Hagë mund të ndikojë në marrëveshjet e arritura më parë.
“Çështja është si do shkosh në Hagë kur ke kryer negociata të mëparshme dhe ke disa dakordësi. Nëse shkon në Hagë, këto dakordësi mund të bien,” përfundoi ai.
