Në një lidhje Skype për emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, kreu i Shoqatës së Bukës Gëzim Peshkëpia ka deklaruar se në situatën që jemi si pasojë e coronavirusit, vendi nuk riskon që të mbetet pa bukë pasi ka rezerva të mëdha të grurit dhe miellit.

“Janë marrë të gjitha masat që tregu të jetë i furnizuar me bukë. Jemi në kontakte, ka rezerva të mëdha të grurit dhe rezerva të mëdha të miellit. Vështirësia qëndron tek mbyllja e kufijve, por kjo s’do të thotë të mos ketë rezerva të grurit dhe miellit. Gjatë kësaj periudhe ka mungesë të njerëzve, moslëvizja e detyruar ka bërë që të ketë mangësi të fuqisë punëtore, jo vetëm në fabrikat e miellit. Kapacitetet e prodhimit të fabrikave në Shqipëri mund ta përballojnë të gjithë kërkesën pa patur nevojën e importimit të miellit nga jashtë”-tha Peshkëpia.

Peshkëpia apeloi qytetarët që të mos ketë panik pasi jemi në një situatë që mund ta përballojmë edhe nëse zgjat, ndërsa për çmimi nuk do të ndryshojë.

“Urojmë që kjo gjendje të mos zgjasë, por nuk duhet të ketë panik tek njerëzit, pasi masat janë për të përballuar çdo lloj situate edhe sikur situata të zgjasë. Higjena është në shkallën më të lartë, jo vetëm pastërti , por edhe t’i përgjigjemi kërkesave për situatën në të cilën ndodhemi. Si shoqatë japim mesazhe, mbështesim vendimet e qeverisë, kemi gjetur mbështetje nga institucionet. Për bursën nuk kemi dijeni, prodhuesit e miellit asnjëherë s’kanë bërë rritje të çmimit të miellit, vijon i njëjti çmim si para situatës. Populli te jetë i sigurt, do ketë prodhimin e duhur të bukës, të zbatojnë edhe ata kërkesat elementare, të na mirëkuptojmë për mosprerjn e bukës, pasi krijon situata jo të mira”-u shpreh Gëzim Peshkëpia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: