Portugalia, spitalet e të cilës janë mbingarkuar për shkak të COVID-19, do të shqyrtojë mundësinë për të dërguar dhjetëra të sëmurë për trajtim në Austri, ashtu si është ofruar nga ky vend, njoftoi qeveria portugeze.

“Këto janë gjeste të rëndësishme të solidaritetit europian, por simbolike në betejën kundër pandemisë”, theksoi Ministria e Shëndetësisë në një komunikatë.

“Oferta e qeverisë austriake u paraqit në një komision që bashkonte specialistë në mjekësinë intensive”, theksoi Ministria e Shëndetësisë.

“Transferimi i pacientëve jashtë duhet të bëhet vetëm si një mundësi e fundit”, theksoi mjeku, Jose Artur Paiva, shefi i njësisë së kujdesit intensiv të spitalit Sao Joao në Porto, një nga dy më të mëdhenjtë në Portugali.

Ky vend regjistroi një rritje të numrit të pacientëve të shtruar në kujdes intensiv, që arriti në mbi 900 për herë të parë që nga fillimi i pandemisë.

Në sajë të një kufizimi të përgjithshëm të dekretuar tre javë më parë, ritmi i infektimeve ditore ka pësuar rënie të lehtë këtë javë, me rreth 7 000 raste të reja.

Portugalia ka pranuar tashmë ndihmën e propozuar nga Gjermania. Kjo e fundit i ka dërguar një ekip prej 26 mjekësh dhe infermierësh, që do të kenë në ngarkim një njësi të kujdesit intensiv të pajisur me tetë shtretër, të vendosur në një spital privat në Lisbonë.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb