Danimarka është çerekfinalistja e parë e Euro 2020. Danezët fituan 4-0 ndaj Uellsit, sfidë e luajtur në “Johan Cruijf Arena” të Amsterdamit. Pas dy humbjeve dhe vetëm një fitore në grupe, tashmë Danimarka kërcënon edhe rivalët e tjerë, njërin mes Holandës dhe Çekisë.

Në 15 minutat e para ishte Uellsi që dominoi, ku Bale humbi një rast të mirë. Më pas Danimarka futet në lojë. Ndeshja është zhbllokuar në minutën e 27-të. Danezët shënuan me talentin Dolberg. 23-vjeçari tundi rrjetën me një goditje të bukur nga jashtë zone. Kaq mjaftoi në pjesën e parë.

Danimarka dyfishoi avantazhin në fillimin e pjesës së dytë. Ishte përsëri Dolberg që shënoi. Sulmuesi përfitoi nga një gafë e mbrojtësit 20-vjeçar të Liverpool-it, Williams, dhe nuk ka falur.

Maehle trefishon shifrat në minutën e 88’. Uellsi kapitullon dhe në minutën e 90’ regjistron kartonin e dytë të kuq në Euro 2020, teksa Wilson ndëshkohet direkt. E mbyll Braithwaite me golin e katërt në sekondat e fundit të ndeshjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb