Qëndrimi te Bar-Kafe “Flora” dhe frekuentimi i Rrugës së Durrësit erdhi pas viteve ’70-të, kur situata politike në Shqipëri, sidomos në fillim të 1973 – it u rëndua. Largimi nga “Broduej” dhe vërshimi në mbrëmje në atë zonë në qendër të Tiranës, me pikë referimi ëmbëltore “Florën”, erdhi në mënyrë spontane për t’u kthyer në domosdoshmëri me kalimin e kohës. Së pari, nga banorët e pallateve përreth, për të vijuar me gjimnazistët e “Sami Frashërit”, “Qemal Stafës” e Politeknikumit, të cilët kryqëzoheshin në drekë, por edhe në mbrëmje, me qëndrime në grupe miqësie në dy krahët e “Florës” ku bisedohej, diskutohej për gjithçka përfshirë çdo informacion sportiv, artistik, pak politikë lidhur me jetën dhe evenimentet e ditës, javës në vend e jashtë kufijve.

Ëmbëltore “Flora”, një kafe-pastiçeri me dy hyrje kryesore në pjesën ballore-lindore filloi të preferohej si lokal me elementë modernë pas viteve 1965 nga studentë që kishin mbaruar jashtë, kryesisht në lindje. Arredimi i saj i’u besua dekorit të NTSHUS-it Tiranë dhe dy piktorëve të njohur Qamil Prizreni e Ymer Koçi. Gjithçka në dru arre, në veçanti banaku i prodhuar në kombinatin e drurit “Misto Mame”. Karriget ishin të një stili të veçantë, tip shezlongu, shumë komode.

Lokali u bojatis me hidromat me ngjyra të ndryshme në të gjitha faqet e tij, duke vendosur taketa të vogla druri si dekor dhe disa piktura “natyra të qeta”. Në mbrëmje ishte kënaqësi e madhe të qëndroje aty, madje nuk gjeje vend. Në dimër shfrytëzohej mjedisi brenda, ndërsa në verë edhe ai jashtë. Fillimisht, aty ka qenë edhe një distributor benzine ku merrte kthesën autobusi “Viberti” apo “SATA” (kështu njiheshin nga populli autobusët e markave italianë) që shkonin në Laprakë.

Zupa, parfeja dhe ponçi, të preferuarat

Duke qenë se frekuentuesit e parë ishin studentë të sapo kthyer nga jashtë dhe te “Flora” gjenin apo improvizonin atmosferën perëndimore të lënë pas, kryesisht në mbrëmje, lokali ishte plot. Nuk flitej me zë të lartë, pihej cigare “Diamant” apo “Luks”, vite më vonë “DS” (Durrës Special). Akullorja me gota xingato në formë kupe ishte traditë, por “Flora” kujtohet për tortat, zupat angleze, arançatat, kompekajën dhe parfetë, që kushtonin nga 25 lekë.

I preferuar ishte ponç portokalli, prodhim i Kombinatit Ushqimor “Ali Kelmendi” Tiranë, një pije e sapo dalë në qarkullim, e ëmbël dhe e fortë. Pastaj fërneti, konjaku, vermuthi e kaçurreli, që ishte një miks i fërnetit me ponçin e që pati një shpërthim si një pije e veçantë për kohën dhe preferohej nga të gjithë, djem e vajza, nxënës e studentë që linin orën e mësimi për t’u takuar e dashuruar aty ku shërbenin Ganimeti, Lola, disa nga kamerieret model të lokalit.

Urdhri i Mehmet Shehut, me gjobë ulja në bordura

Të rinjtë e atyre viteve pa dyshim e kujtojnë qëndrimin në mbrëmje ulur te bordurat e vitrinave të dyqaneve, kur ato mbylleshin në të dyja krahët e “Florës”, të ndarë në grupe-grupe. Por me kalimin e kohës dhe ulja aty filloi të vështirësohej, pasi policia nuk lejonte më grupime të tilla. Madje, me një urdhër të Mehmet Shehut, ato u lyen me vaj e graso për të penguar uljen e djemve në ato shirita betoni.

Vetë forcat e rendit të rajonit te “Mine Peza”, që kontrollonin ishin miqësuar me djemtë e bordurave dhe sa herë kalonin, kryhej “ngritja dhe më pas ulja” e tyre si shenjë mirëkuptimi, kur ata patrullonin. Kulmi arriti kur u vendos edhe gjoba deri në 100 lekë, për personat që frekuentonin bordurat.

Nga kënga e Gim Krajkës, te filmat artistikë…!

Me tekst të Xhevahir Spahiut, kompozitori i njohuri Agim Krajka, duke i’u referuar frekuentimit të lokalit u paraqit në Festivalin e 11-të Kombëtar të Këngës në Radio-Televizion, me këngën “Kafe Flora”, që u këndua nga 17-vjeçarja Lindita Theodhori. Ndonëse u rendit në vendin e dytë dhe pati jehonë, ajo u hoq nga radioja pas goditjes së Festivalit. Gjithashtu, në atë rrugë janë xhiruar edhe tre filma: “Plumba mbi Perandorin”, që ka lidhje me atentatin e Vasil Laçit ndaj Viktor Emanuelit të III-të, rol i luajtur nga aktori Kastriot Çaushi.

Edhe një fragment i filmit “Debatik”, skena ku vritet Coli, me aktorët Besim Lëvonja e Sulejman Pitarka është xhiruar pak metra në thellësi, te sheshi i Likve. Pastaj filmi dramatik “Vdekja e Kalit”, me protagonist aktorët e njohur Timo Flloko e Raimonda Bulku me skenën e internimit realizuar mbrapa pallatit mbi “Florën”.

“Love story” dhe frymëzimi artistik

Në pak kohë, “Flora” u transformua në mjedisin e dashurive, njohjeve, fejesave, shkëmbimit të unazave, krushqive, por dhe i frymëzimit artistik për artistët e rinj. “Së bashku me Kiço Blushin, Rikard Ljarejn, Leka Bungon dhe Sherri Mitën, kemi qenë klientë sistematikë të ‘Florës’. Uleshim në një tavolinë në fund të lokalit dhe të frymëzuar nga stili e histori shkrimtarësh, kryesisht nga vendet si Franca, Italia, shkruanim krijimtaritë artistike”, kujton Bujar Kapexhiu.

“Tentonim të imitonim, madje aty është krijuar nga Sheri Mita komedia ‘Këshilli i Ndrikullave’, nisur nga dashuria e Leka Bungos me gruan e tij, një vajzë ambasadori me apartamentin përballë ‘Florës’, që kishte katër teze, të cilat dilnin në ballkon e kontrollonin lëvizjet e Lekës, kur futej te ‘Flora’.

E tillë është edhe dashuria e vajzës së Mantho Balës, ish-zëvendësministrit të Arsimit, që banonte mbi ‘Florën’, me futbollistin e ‘17 Nëntorit’, Tit Nurishmi. Ndërsa piktori Ali Oseku, realizonte skica me vajza, djem, miq, që vinin aty e më pas ua dhuronte vizatimin”, përfundon Kapexhiu. Vetëm për një shikim, takim, provokim, apo pritjen e një vajze, nga djemtë e dashuruar janë pirë deri në dhjetë kafe në ditë te “Flora”.

Te “Derri” me lloto-sportin klandestin

Kështu e kanë quajtur “Derri”, një emër aspak simpatik, që realisht ishte një “gjellëtore” apo “mëngjesore” përballë Ambasadës Kubaneze. Një vetëshërbim me parapagim me qëndrim në këmbë, me pagesë në kasë, ku shërbente Kimetja si arkëtare dhe Nexhi bashkë me të. Në brendësi në krahun e majtë të hyrjes kishte edhe një kinkaleri, ku thuhej se shitësi kishte “mision” të dyfishtë.

U quajt “Derri”, ose te “Derri”, pasi i tillë ishte mishi që shërbehej, por edhe për qëndrimin me orë të tejzgjatura. Deri vonë në verë e dimër, sidomos kur binte shi, nën strehën e “Derri”-t grumbulloheshin të gjitha grupet. Në veçanti të shtunën e të dielën fluksi ka qenë shumë i madh. “Derri” u kthye edhe në një pikë të rëndësishme të informacionit që merrej e shpërndahej për muzikën, politikën (jo shumë), sportin, kronikën rozë, një pafundësi thashethemesh kryeqytetase.

Pikërisht te “Derri” e ka zanafillën dhe është luajtur për herë të parë loto-sporti klandestin, ndonëse ai sportiv ka ekzistuar në Shqipëri deri në vitet ’60-të. Pasi u ndalua, pati tentativa sporadike për ta aktivizuar atë nga individë, fillimisht me shuma të vogla, pastaj numri u rrit e mori përmasa gjigante në pjesëmarrje dhe nga ana financiare.

Hysenaj, një ndër organizatorët e tij, tregon: “Shumë shpejt ky mekanizëm me mjete rrethanore filloi në fshehtësi, në grupe të ngushta miqësie. Në çdo fundjavë luhej me skedina dore për serinë A dhe në vitet që vijuan përfshirja ishte e madhe nga nxënës e studentë, punëtorë, frekuentuesit e ‘Florës’, të zonave të tjera të Tiranës, madje vinin edhe nga rrethet.
Kujtoj se edhe policët që kalonin aty, fshehurazi vinin ndeshjet në loto-sportin tonë klandestin. Kulmin e pati në vitet 1975-‘85, kur disa nga ideuesit u ndëshkuan me burgim”, thotë ai.

Alqi Boshnjaku, Dor Keko dhe Perlat Voshtina

Nuk mund të flasësh për Rrugën e Durrësit, qëndrimin te “Flora”, pa kujtuar të paktën disa personazhe që sot nuk jetojnë, ndër të cilët Alqi Boshnjakun, Dor Kekon e Perlat Voshtinën. Njëri poet e shkrimtar, tjetri kompozitor dhe Voshtina, inxhinier e volejbollist.

Banonin shumë afër njëri-tjetrit e të tre ishin shumë të njohur edhe për pasionin që kishin për sportin. E kanë frekuentuar atë rrugë, në veçanti në mbrëmje në oborrin e “Florës”, të ulur në bordurat e tij. Të tre fatkeqësisht u ndanë nga jeta në moshë të re.

Familjet e njohura, nga Progri te Kodra dhe Kubati

Në atë rrugë përballë gjykatës ka jetuar Ali Progri, drejtori mitik i Politeknikumit bashkë me familjen, njeri i sjellshëm, fisnik e shumë human. Në pallatin tjetër që vijon, Gani Kodra, një tjetër person i njohur për ato vite. Ai bashkë me familjen, djemtë Gencin e Tanin, nipat e mbesat L. Kodrën e të paharruarin Petrit Kodra, gazetar në ATSH, i pari që furnizonte me informacione sportive pasionantët e “Derrit”.

Pastaj Ali Kubati, edhe ky në vazhdim te pallati në kryqëzimin e parë. Shumë popullorë, Kubatët kishin rreth të madh miqësor. Të përhershëm të kësaj rruge kanë qenë edhe dy motrat e heroit Qemal Stafa, gjithmonë bashkë dilnin për shëtitje. Te pallati përballë Pallatit të Oficerëve, ka banuar gruaja ruse, Galina, me vajzën Sonja dhe Zana Karagjozi, sportiste e “Dinamo”-s, ruse edhe kjo nga nëna, si dhe Ad Shehu. Aty pranë ka jetuar edhe familja e bamirësit Dine Hoxha, me nipërit Skënder, Dine, e Bujar, ngjitur me pallatin ku banonte edhe gruaja me kulturë e admiruese e muzikës italiane, Xhilda, me vajzën Jozita.

Me zë të ulët nga dritarja e apartamentit të saj dëgjohej “Hit Parade” i Lelio Lutazzi-t dhe “Radio Praga”, një emision shumë i ndjekur çdo ditë në drekë, me kërkesa të emigrantëve italianë.

Pallati “Blu” i gjeneralëve

I ndërtuar në kohën e Italisë, në kryqëzimin e parë, pallati i bukur me tulla blu është një ndërtesë që i ka rezistuar kohës dhe sot njihet si pallati i Merlikve. Për shumë vite pas lufte, në katin e parë të tij ka qenë Dogana, më vonë një kasap, pastaj libraria. Aty kanë banuar nga gjeneral-leitnant Abaz Fejzo, ushtaraku që bënte paraqitjen para tribunës në çdo fillimi parade, Maliq Sadushi, Todi Shyti, Kristo Themelko, te Sabri Pilkati, të gjithë personalitete madhore të kohës. Në vijim, te një vilë përballë Ambasadës Jugosllave ka qenë edhe Kundëradmirali i Marinës, Abdi Mati, me fëmijët, piktori Zamir, vajzën Teuta dhe Ilir Matin.

Vajzat e bukra moderne që i dhanë emër

‘Rruga e Durrësit’ ishte e shquar edhe për vajzat e bukura. E zbukuronin rrugën edhe më shumë N. Xhai, T. Buxheli, motrat Progri, tri shoqet E. Gjylbegu, A. Omari, L. Siliqi, binjaket Veronika e Ludmilla, që kanë luajtur edhe si aktore në filmin “Zonja nga Qyteti”.

Pastaj bukuroshja Lida, Shpresa valltarja e Ansamblit, J. Nase, V. Biba, duke e lënë për në fund G. Herrin, që kur dilte nga tuneli për në ‘Rrugën e Durrësit’, të gjithë mbanin frymën për ta parë për nga bukuria. Edhe çifti modern që dallohej për elegancë në veshje, A. Rasku me M. Uçin, tërhiqnin vëmendjen.

Mjekët dhe mësuesit historikë

Janë shumë: Nga Dr. Ilir Gjylbegu, Dr. Anila Gode, Dr. Emil Cimbi Dr/ Selaudin Bekteshi, Dr. Theollosi. Dr. Ilir Ohri, Dr. Jorgji Koja, Dr. Gazmend Velçani, Dr. Ferdi Konomi, Dr. Petrit Gaçe, Dr. Nikolla Shurbani, Dr. E. Gjermani, Dr. Ylli Popa, Dr. F. Konini me gruan austriake Paola.

Pastaj mësuesit Z. Xhajanka e letërsisë, Sar Çakmaxhian i kimisë, A. Karagjozi dhe mësuese Tana të anglishtes, L. Naçe e matematikës tek A. Rustemi, i fizkulturës M. Tukseferi, prof. Gjergj Canco, Llazar Xhajanka etj.

Aktorë, piktorë e skulptorë, “Via del Artisti”

Do të ishte më se normale që të njihej si “Rruga e Artistëve”, pasi e tillë ka qenë. Në të jetonin aktorët Sulejma Pitarka, Besa Imami, Kadri Roshi, Luiza Varfi, Margarita e Shkëlqim Xhepa Qenan Toro, Andrea Pano, A. Imami, A. Kura, Drita e Hysen Pelingu, Violeta Manushi, Piro Milkani, Viktor Gjika, familja Sallaku, Vitore e Skënder, ajo e kineastëve Xhanfise dhe Endri Keko, operatorët e TVSH-së: Arben Çeku e Fred Leli, vëllezërit Pandi e Bled Laço, regjisori Aartan Minarolli, dirigjenti Rifat Teqja, Thimi Nika, familja Zela, Vaçe e Hysni, muzikologu Ramadan Sokoli, kompozitorët Nikoll Zoraqi, Pjetër Gaci me gruan ruse Tamara; tenori Gjoni Athanas me Sakinenë, gruan e tij balerinë; familja Çako me Gaqon e Luiza Papën, familja e muzikantit Topi, oboisti Viktor Shiroka; këngëtarët Xhavit Xhepa, Fitnete Rexha, pianistja Bebi Kristidhi, muzikologu E. Dheri; skulptorët Odhise Paskali e Dhimitër Çani, piktorët Kel Kodheli, Foto Stamo etj.

Edhe Ali Zotria ing-kimist, në katin e gjashtë sipër “Florës” ka banuar. E dënuan pasi ishte martuar me Jezminën, gruan çeke, me të cilën pas ‘90-ës u largua e jetojnë në Çeki. Në një apartament në katin e katërt, te pallati pas Ambasadës Kubaneze, ka banuar ing-kimist, Agim Shehu, që kishte sjellë nga Rusia një televizor, në të cilin të gjithë grumbulloheshin për të parë.

Shkrimtarë dhe studiues

Në Rrugën e Durrësit jetonin edhe familja e shkencëtarit Petro Zheji me Verën e Arturin, shkrimtarët Nasho Jorgaqi, Andrea Varfi, Sotir Papuli, Fatmir Gjata, Qamil Buxheli, Dhimitër Xhuvani, Andrea Varfi, Teodor Laço, Llazar Siliqi, Vangjeli e Spiro Çomorra, përkthyesit e njohur Sami Leka e Niko Gjini, gazetari Kastriot Ahmati, fotografi i ATSH-së Pipi Naçe, profesorët e akademikët: Alfred Uçi, Aaleks Buda, Bedri Dedja, Shaban Demiraj, Fatos e Luan Omari, Kol Paparisto, studiuesit Spiro Xhai e Sotir Kuneshka, Mane Nishova, njeriu i kohës në TVSH-së, Petrit Leka, ambasadorët Piro Koçi e Fatmir Kumbaro, inxhinieri i ndërtimit H. Rama, Maqo Bleta, si dhe Lluka, djali me syze që e thërrisnin “filozofi”.

“Play boy” – it e saj

Nuk ka pasur kuptim ajo rrugë pa disa personazhe mitikë të saj. Gen Nika, djali modern, problematik për sistemin, gjithmonë një hap para në modë, shije e pasione. Shumë të veçantë, simpatikë, vitalë, kanë qenë Gen Dalta e Kokushta.

Ylli Koçi, gjithashtu i gjatë, elegant, vishej bukur, kur dilte tërhiqte vëmendjen bashkë me vëllanë Fati, e dy motrat. Pastaj Kirov Andoni, protagonist absolut e autentik i ‘Rrugës së Durrësit’, kitarist, këngëtar, si dy pika uji me francezin Charl Aznavour, i preferuar në mbrëmjet e gjimnazeve, kryesisht të “Qemal Stafës”.

Kirovi ndërtoi edhe një pishinë të vogël personale në tarracën e Pallatit të Oficerëve ku banonte, çka u bë problem për lagjen. Ndërsa qëndrimi te “Flora”, është i lidhur me djem, pa të cilët nuk mund të shkruhet historia e saj. Nga B. Çaushi (Xuxi), G. Estrefi, I. Elini, T. Gjoka, A. Ruço, K. Hysenaj, E. Deliallisi, Perikli Dhales, Skënder Hyka, B. Hyka A. Nurishmi, Gog Halili, B. Tabaku, Sh. Ndroqi, vëllezërit Besnik e Agim Hado etj.

Shumë enigmatik ka qenë Mihal Kosova, që kishte studiuar për Letërsi në Athinë, por për shkak të biografisë, punonte si bojaxhi. Paradite shërbente në shtëpitë e banesat duke lyer, në mbrëmje te “Flora” shfaqej ndryshe, i veshur mirë, dhe me humor.

Grupi “QEMAL-STAFAS” I “Besnikëve” dhe i “SAMI FRASHËRIT”

“Flora” ka qenë në sintoni me disa individë e grupe: vëllezërit Mir e Ilir Dashin, Shan Vorfin, Tor Ickën, Sh. Xhepën, A. Bajkon, Dor Kekon, A. Sejkon, F. Hanxhaku, P. Becin, A. Dumën, Bes Vilën, Z. Birçen, B. Gajtanin, Jan Kasneci, S. Vukaj etj., si dhe vëllezërit Zotria, Gux e Bujar Sevrani, Rrok e N. Dionisi, Geg e Lek Kodheli.

Pastaj tre shokët A. Obdari, A. Kubati, L. Tasellari, tre simpatikët T. Anamali, B. Shehu e P. Seiti, muskëtierët Dhimitër, Dëfrim e Genc, banues te pallati i “Hotel Pensionit”, me të përhershmin Ruke dhe “Stive Rivesin” – Niku, tatuazhistin e parë shqiptar.

Tjetër grup ishte ai me nxënës të “Sami Frashëri”: A. Sallaku, Mir Prifti, M. Ostreni, M. Barbullushi, M. Çoçoli, A. Shehi, B. Lame, T. Kosta, K. Andoni, B. Plaku, Tit Nallbani, H. Topi, K. Paçrami, B. Mema, Nik Alimehmeti, F. Çoçoli, A. Alimehmeti. etj, pa harruar Ilir Demaliajn, “Syçin” e famshëm banues te pallati sipër Arkës së Kursimit te kryqëzimi i parë. Të gjithë djem “besnikë” të “Florës” e “Derrit”, “polikumas”, “qemalstafas”, e të “Samiut”, çdo mbrëmje i gjeje aty, pa munguar asnjëherë.

Dashuri me gjimnazistet pas “Figalit”

Ka qenë një rrugë e frekuentuar shumë edhe nga futbollistët e “Shkëndisë” që pas shkollës, stërvitjes, i gjeje të grumbulluar të “Figali”, kinkaleria e vogël në kryqëzimin e tretë, që mori emrin e shitëses. Nga Sul Starova, Dash Bajaziti, Arjan Bakiri, A. Toqi, Vasil Bifsha, Il Metani, Ilir Luarasi, apo K. Andoni, N. Topi, G. Maluçi, G. Shahu, Jar Battisti të gjithë prisnin të dilnin vajzat e gjimnazit duke u kryqëzuar, takuar pas “Figalit”.

Shumë dashuri, njohje, e kanë aty zanafillën, madje disa prej futbollistëve të “Shkëndisë” janë martuar pikërisht me vajzat e “Qemal Stafës” e Politeknikumit.

Sportistët

Nga futbollisti Aristidh Parapani, kampion i Ballkanit i ‘46-ës, te familja e F. e Mustafa Çelkupa, atletët Shaban Lundra, Dhimitër Stratobërdha, Liljana Karanxha, Dh. Dhjaku, I. Gusho, A. Papuli, Viron Bezhani (ish-President i KOKSH-it), futbollistët Riza Icka, B. Keno, S. Sinani, A. Nurishmi, Gud Tafaj, familja sportive Tomorri me Ylli, Luan e Gencin; shahisti Ilir Karkanaqe; basketbollistët S. Boshnjaku, V. Dalta, Sandër Dheri, A. Demiri, volejbollistët S. Vokopola, R. Gjerazi, S. Hanxhaku, boksieri Ahmet Golemi, B. Isaku, kampioni mundjes Ndriçim Spahiu, Nuzi, me trupin e bukur, janë disa që e kanë lënë gjurmë në Rrugën e Durrësit. Edhe Konvikti (pas Hotel ‘Pensioni’-t), fillimisht me vajzat e Liceut e më pas për sportistët e ILKF “Vojo Kushi”, i kanë dhënë gjallëri rrugës.

Pa harruar ndeshjet në Pallatin e Sportit: tre blloqet me policë që kontrollonin bileta kur fluksi ishte i madh, pastaj fundi i takimeve kur tifozë, miq e shokë prisnin sportistët e të shoqëruar ktheheshin bashkë përgjatë Rrugës së Durrësit, në trotuarin nga e djathta.

Çfarë ke mbetur sot…?

Nuk është gastronomi, as dyqani i Gazhelëve, as “Parfumeria”, as “Derri”, as “Malev”, as Trikotazhi. Nuk ka gjurmë as “Demneri”, dyqani i biçikletave, as gjykata, as berberi as ai këpucë me porosi, si dhe hotel “Pensioni”.

E më kryesorja, “Flora”, është reduktuar në një lokal të vogël me emrin “Kafe-Flora”. Ndërkohë, mjaft personazhe nuk jetojnë si dhe të tjerë që janë zhvendosur, ndërsa ata që i dhanë jetë janë familjarë.

Ai korridor aq popullor tashmë nuk ka më frekuentimin viteve ’70-të, pasi është kthyer në një rrugë normale, pa delegacione e njerëz që i prisnin me lule, i mungon zhurma, vitaliteti që i dha bujë e shkëlqimin në vitet e kulmit të saj. Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb