TIRANE – Opera komike me 4 akte, me libret të Lorenzo Da Ponte dhe muzikë të Moxartit, vjen në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, në datat 15, 17, 19 dhe 21 mars 2015, ora 19:00. Është një opera gazmore me larmishmëri karakteresh. Gjatë tërë kohës personazhet vendosin veten në situata të ndërlikuara, duke e bërë publikun të jetë gjithë kohën kurioz për atë që do të ndodhë më pas. Në qendër të veprës janë Figaro dhe Suzana, të cilët janë respektivisht shërbëtorët personalë të Kontit dhe Konteshës Almaviva. Konflikti nis pasi Konti dëshiron të kalojë natën me nusen Suzana, para të shoqit, por sigurisht do ta bëjë këtë pa e marrë vesh kontesha e tij… Regjisori Nikolin Gurakuqi, duke dashur të përcjellë një vepër koherente me realitetin e sotëm e ka vendosur ngjarjen në një institucion shtetëror në një vend europian, ku personazhet janë punonjës në të dhe titullar është Konti Almaviva. Pavarësisht kohës dhe vendit, i rëndësishëm është mesazhi, ai i revoltës ndaj të keqes, abuzimit me pushtetin, dhe ndëshkimi i saj në mënyrë paqësore, të pranueshme për të gjitha palët, pa prekur dinjitetin dhe personalitetin e askujt, pavarësisht se cilës klasë i përkasin personazhet. Kasti i kësaj vepre përbëhet nga solistët e TKOB, Armando Likaj (Figaro) Mariana Leka (Kontesha), Eriona Gjyzeli (Suzana), Vikena Kamenica (Cherubini) etj. Të ftuar specialë në rolin e kontit do të jetë tenori bullgar Valeri Turmanov dhe në rolin e Suzanës për natën e premierës, sopranoja e talentuar shqiptare që këndon në skenat botërore, Oriana Kurteshi.
“Kam dashur të paraqes një vepër koherente që i flet realitetit të sotëm, njerëzimit të sotëm me të gjitha pozitivitetet dhe negativitetet e tij. Nuk ka rëndësi se ku, në ç’pjesë të globit zhvillohet ngjarja, rëndësi ka revolta ndaj të keqes, abuzimit me pushtetin dhe ndëshkimi i saj në mënyrë paqësore, të pranueshme për të gjitha palët, pa prekur dinjitetin dhe personalitetin e askujt, pavarësisht se cilës klasë i përkasin personazhet”, ka thënë regjisori Gurakuqi. Duke folur për konti Almaviva, Gurakuqi shënon se ky maniak seksual është edhe shkaktari i të gjitha konflikteve dhe tradhtive që lindin, transformohen dhe në fund zgjidhen për të rifilluar përsëri në formë ciklike.
“Përveç libretit të shkëlqyer të Lorenzo da Pontes, nga muzika moxartiane kam nxjerrë një libret muzikor, që i bashkuar me atë dramatik e ka bërë aksionin shumë të pasur dhe karakteret shumë individuale. Këtë vënie dëshiroj t’ia dedikoj djalit tim, Marsid, që e humba tre vjet me parë, për arsyen e vetme se ai e adhuronte këtë vepër pikërisht për konfliktin e tij klasor dhe me insistim asokohe më kërkonte që unë ta vija në skenë”, – përfundon regjisori.
Në opera interpretojnë: Konti-Valeri Turmanov, kontesha-Mariana Leka, Ulpiana Aliaj, Susanna- Oriana Kurteshi, Eriona Gjyzeli, Figaro-Armando Likaj, Cherubino-Vikena Kamenica, Marcellina- Sonila Baboci, Bartolo-Sidrit Bejleri, Ogert Islami, Basilio-Roel Llupo, Ergys Mita, Don Curzio-Denis Skura, Barbarina-Rezarta Qevani, Erinda Agolli, Antonio-Ogert Islami, Genc Vozga. Pos orkestrës Simfonike dhe Korit të TKOB, në klaviçembalo është Ingrid Pulizo. Opera vjen me regji e skenografi të Nikolin Gurakuqit, dirigjent Francesco Di Mauro, dirigjent Kori Dritan Lumshi dhe kostumograf Taulant Pustinën.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: