TIRANË- Kreu i Shtetit, Bujar Nishani ka deklaruar sot se kanabisi në Shqipëri ka marrë përmasa kombëtare e për këtë do të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Kjo deklaratë ka gjetur mbështetjen e deputetit të Partisë Demokratike, Keltis Kruja dhe kundërshtimin e atij të PS-së, Xhemal Qefalia.

Të ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 ata kanë debatuar në lidhje me çështjen e kanabisit. Ndërsa Kruja e ka cilësuar situatën të jashtëzakonshme dhe që kërkon ndërhyrje të menjëhershme, Qefalia theksoi se në këtë drejtim po punohet fort.

“Deklarata e Nishanit duhet marrë seriozisht. Nuk e di kur do ta mbledhë, por Këshilli i Sigurisë duhet të ishte mbledhur me kohë. Të merremi me seriozitetin që ka çështja, kjo s’është çështje normale. A mundet që këtij fenomeni shqetësues edhe për LSI, t’i jepet serioziteti i duhur, sepse ata (qeveria) e konsiderojnë si diçka normale. Sigurisht që masat duhet të jenë të jashtëzakonshme. Ne kemi kërkuar që të rriten masat se nuk është fenomen normal, nuk është çështje ligji, është çështje vullneti politik”.

Më tej, Kruja tha se policia do ta bënte punën e saj në luftë me drogën e kriminalitetin, por i tradhton ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ndërsa Qefalia e konsideroi deklaratën e Nishanit në të njëjtën linjë me PD dhe thotë se qeveria ka vullnet për ta luftuar kanabisin, ndërsa si rast të punës së tyre të mirë veçon aksionin në Lazarat.

“Nuk më habit fakti që kërkon të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, sepse Presidenti është në një linjë me PD. Nuk ka arsye të mblidhet pasi organet ligjzbatuese po ushtrojnë të gjitha kompetencat e tyre. Ky fenomen vjen si pasojë e një kulture të trashëguar kriminale me përhapje në shumë zona. Ne kemi vullnet politik. Aty ishte Lazarati, këto punonjës policie e hoqën nga lista e zezë. Po them që qeveria ka vullnet për ta luftuar kanabisin”,- u shpreh ai.

DEBATI
Kruja: Puna e Policisë së Shtetit është pamjaftueshme. Disa drejtorë të policisë janë të lidhur me trafikun. I kemi denoncuar edhe emrat.

Qefalia: Çojini në Prokurori

Kruja: Çështja nuk është nëse shkojnë apo jo, ne e kemi bërë denoncimin. Prokuroria mund të fillojë hetimin kryesisht.

Qefalia: Pse i shmangeni prokurorisë.

Kruja: Më vjen keq që i shoh oficerët e policisë që s’mundet të bëjnë detyrën se ministri i tyre është i lidhur me krimin. Ty Xhemal të kuptoj, po Saimiri nuk mbrohet është i pambrojtshëm

Qefalia: Ju në 8 vjet i latë policët pa rroga, pa uniforma. Keni dëgjuar ndonjëherë për makina elektrike ju

Kruja: E keni kthyer policinë në sfilatë
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: