“Prestige Resort” ka reaguar përmes një deklarate pas sulmit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, duke hedhur poshtë pretendimet e autoriteteve dhe duke i cilësuar veprimet e ndërmarra si arbitrare, të paligjshme dhe pjesë e një përpjekjeje për të bllokuar aktivitetin e resortit.

Në deklaratë theksohet se kontrolli i zhvilluar më 18 korrik nuk konstatoi asnjë shkelje fiskale, ndërsa sekuestrimi i kompjuterëve dhe pajisjeve të punës është kryer pa bazë ligjore, me synim paralizimin e funksionimit të resortit në kulmin e sezonit turistik.

”Sipas informacionit të marrë gjatë zhvillimit të kontrollit, inspektorëve u është kërkuar nga strukturat qendrore të Tatimeve që të evidentonin patjetër një shkelje. Në këto rrethana, është tentuar të fabrikohet një pretendim për shkelje dhe në vazhdën e këtij veprimi, inspektorët kanë kërkuar të sekuestrojnë kompjuterët dhe pajisjet e punës së Prestige Resort”, thuhet në reagim.

“Është e qartë se synimi nuk ishte zbatimi i ligjit, por bllokimi i aktivitetit të një resorti që vazhdon të operojë pavarësisht një serie veprimesh të vazhdueshme të administratës shtetërore ndaj tij, duke filluar nga gjobat, prishja me eksploziv, konfiskimi i pronës dhe deri te përpjekjet për paralizimin e aktivitetit të përditshëm”, vijon më tej deklarata.

“Prestige Resort” mohon gjithashtu se inspektorëve u është kufizuar liria, duke theksuar se gjithçka është dokumentuar nga kamerat e sigurisë dhe ato të News24, ndërsa paralajmëron se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur të drejtat e tij.

Deklaratë për mediat nga Prestige Resort

Duke marrë shkas nga veprimet e fundit të ndërmarra nga organet tatimore ndaj Prestige Resort, Golem, ndiejmë detyrimin të përgënjeshtrojmë pretendimet e ngritura prej tyre, si edhe çdo deklaratë apo informacion të pavërtetë të shpërndarë nga palë të treta, të cilat, në kundërshtim me ligjin dhe faktet, janë bërë pjesë e një fushate dezinformimi dhe shtrembërimi të së vërtetës.

Kjo deklaratë u drejtohet opinionit publik, klientëve, partnerëve dhe bashkëpunëtorëve tanë.

Më datë 18.07.2026, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ndërmori një kontroll të befasishëm pranë Prestige Resort, pa asnjë njoftim paraprak. Gjatë këtij kontrolli nuk u konstatua asnjë shkelje fiskale, asnjë punonjës i padeklaruar dhe asnjë klient pa kupon tatimor. Pra, kontrolli nuk evidentoi asnjë shkelje dhe, për rrjedhojë, nuk ekzistonte asnjë bazë ligjore për marrjen e masave ndëshkuese ndaj resortit.

Megjithatë, sipas informacionit të marrë gjatë zhvillimit të kontrollit, inspektorëve u është kërkuar nga strukturat qendrore të Tatimeve që të evidentonin patjetër një shkelje. Në këto rrethana, është tentuar të fabrikohet një pretendim për shkelje dhe në vazhdën e këtij veprimi, inspektorët kanë kërkuar të sekuestrojnë kompjuterët dhe pajisjet e punës së Prestige Resort.

Është e qartë se synimi nuk ishte zbatimi i ligjit, por bllokimi i aktivitetit të një resorti që vazhdon të operojë pavarësisht një serie veprimesh të vazhdueshme të administratës shtetërore ndaj tij, duke filluar nga gjobat, prishja me eksploziv, konfiskimi i pronës dhe deri te përpjekjet për paralizimin e aktivitetit të përditshëm.

Synimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve duket i qartë: t’i japë Prestige Resort një goditje në kulmin e sezonit, duke privuar në mënyrë të paligjshme subjektin nga pajisjet e domosdoshme për operimin normal të aktivitetit, duke siç janë kompjuterët e sistemit të check-in/check-out e deri te pajisjet fiskale.

Inspektorët sekuestruan kompjuterët në mënyrë arbitrare, veprim që në mungesë të çdo procedure ligjore, përbën një rast të qartë të shpërdorimit të detyrës.

Pikërisht në momentin e sekuestrimit, administratori i shoqërisë iu drejtua Drejtorisë Vendore të Policisë Kavajë për të paraqitur kallëzim penal. Kallëzimi nuk iu pranua dhe administratori u orientua të paraqitej pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Aty, pas zvarritjes së procedurave, kallëzimi penal u depozitua.

Pas paraqitjes së kallëzimit penal, inspektorët krijuan artificialisht pretendimin se u ishte kufizuar liria. Ky pretendim është tërësisht i pavërtetë. Ata kanë qëndruar në ambientet e resortit me vullnetin e tyre të lirë, pa iu kufizuar lëvizja apo ushtrimi i detyrës në asnjë moment. Gjatë gjithë kohës ata kanë qëndruar në ambientet e recepsionit të hotelit, një ambient publik, ku gjithçka është filmuar edhe nga kamerat e News24. Ky fakt, së bashku me pamjet e kamerave të sigurisë së resortit, provon qartë se nuk ka pasur asnjë kufizim të lirisë së tyre.

Prestige Resort ka qenë i hapur gjatë gjithë kohës, vijon të jetë plotësisht funksional dhe ka pritur e vijon të presë turistë. Nuk ka ekzistuar asnjë ambient i mbyllur apo i bllokuar për inspektorët. Gjatë gjithë kohës ata kanë qëndruar në hollin e hotelit dhe kanë ushtruar veprimtarinë e tyre pa asnjë pengesë apo kufizim.

Hedhim poshtë me vendosmëri çdo pretendim të pavërtetë, trillim dhe përpjekje për të dezinformuar e manipuluar opinionin publik. Njëkohësisht, bëjmë të qartë se çdo veprim arbitrar dhe i kundërligjshëm i ndërmarrë nga organet tatimore apo çdo strukturë tjetër shtetërore do të ndiqet me të gjitha mjetet ligjore në dispozicion.

Çdo person që ka tejkaluar kompetencat e tij, ka shpërdoruar detyrën ose ka cenuar të drejtat dhe interesat e ligjshme të Prestige Resort do të mbahet përgjegjës përpara organeve kompetente, deri në rivendosjen e plotë të ligjshmërisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb