Nga: LILIANA HOXHA*

Një sentencë që më ka mbetur në mend thotë: Ai popull që nuk di të shkruajë historinë e tij, ose s’ka histori, ose është popull neurotik. Në të dyja rastet mbetet mundësia, pasi historia e mirëfilltë (si vepra jonë) fillon me Pavarësinë e Shqipërisë, pastaj me Zogun, pastaj me Luftën e lavdishme Nacionalçlirimtare, pastaj 45 vjet diktaturë, pastaj tranzicioni me klasën politike mundësisht sa më të korruptuar. Kurse historia e të gjitha vendeve të botës është shkruar herët prej monarkive të trashëguara, kjo edhe për të gjitha vendet e Ballkanit përveç Shqipërisë, që kohën para pushtimit otoman duhet ta zbërthejnë arkeologët, antropologët, etnografët dhe historianët, për t’u mbivendosur mbi të dhënat e tyre.
Por edhe si popull mesdhetar jemi pasionantë, impulsivë e gjaknxehtë (mos o Zot që mendjet e obseduara t’ia referojnë edhe këtë diktaturës!), çka nuk ka të bëjë fare me subjektivizmin e gjykimit, i sinqertë qoftë e për më tepër i nxitur deri në tendencë. Aspirata për të shkuar në Europë nuk duhet të na gjunjëzojë prej kostos morale që, me sa duket, diktohet nga segmente të caktuara, apo për më keq prej servilizmit të politikanëve tanë, sidomos të atyre në lidhje të drejtpërdrejtë me KE etj. Jo më kot nuk isha dakord për paraqitjen e fotove të Enver Hoxhës në manifestimet e 70-vjetorit të Çlirimit, për të mos krijuar konflikt tek të gatshmit për të, ndonëse kundrejt faktit historik, fotoja e tij duhej të ishte thjesht pranimi i këtij fakti legjitim, prej një shoqërie të civilizuar, as më shumë e as më pak. Politizimi që iu bë çështjes nga të huaj, për pasojë frenezia e urrejtjes nga disa eksponentë të oligarkisë së politikë-media-pushtetit ishte e papërmbajtur dhe e verbër, si të ishim në vitet 1990. Shumë i lokalizuar vërtet ky neurotizëm, por i shprehur nga dy zonja që e demonstrojnë veten të emancipuara. Nuk ngopen për ta quajtur Enverin Hitler, se këtë e paska thënë KE. Madje, në emisionin ‘Opinion’, në një tabelë me 10 despotët më të urryer në historinë e njerëzimit, filluar nga Hitleri, Stalini e deri tek Cezarët, zonja e KE u shpreh sërish se në këtë tabelë duhej të ishte edhe Enver Hoxha. Ç’është gjithë kjo urrejtje që praktikisht damkos e komprometon jo vetëm realitetin, por prej tendencave politike e kryesisht të jashtme, vetë historinë e vendit tonë? Çfarë grash janë këto të pushtetit dje dhe sot, përfshirë dhe ministren e Mbrojtjes, që nuk u ndalën një herë të vetme për “Shqipërinë tjetër”, trajtuar me devotshmëri nga gazetari Marin Mema. Montefiore ka theksuar se revolucionet kanë karakterin e vendit ku zhvillohen. Domethënë, ky yni, qoftë lufta, qoftë pas saj e deri sot, ka karakteristikat madje specifike, që nuk i ka pasur asnjë vend në zhvillimet historike të këtyre viteve. Me rënien e Murit të Berlinit u fitua liria nga vendet e Europës lindore kundrejt influencës së Bashkimit Sovjetik. Këto vende vazhduan për mirë apo për keq thjesht për karakteristika të brendshme. Kurse politika e prej saj historiografia jonë injoron të pranojë që diktatura tek ne ishte e kapur nga agjentura jugosllave dhe ajo e KGB-së. Nuk e kam fjalën për bashkëpunimin e Enver Hoxhës me Popoviçin etj. E kam fjalën për rrjetin agjenturor, kryesisht atë jugosllav, që u forcua përgjatë 40 viteve deri në një ushtrim të një pushteti real antishqiptar nën suazën e ideologjisë së Enver Hoxhës që pas viteve ‘70. Çka kryesisht shkatërroi psikikën e shqiptarit nëpërmjet frikës së survejimit e të spiunimit nga njëri-tjetri, përveç të persekutuarve, interesat e së cilëve nuk janë dëmshpërblyer as edhe sot. Këto specifika nuk i interesojnë “Botës”, se i ka kryer vetë, ndaj përgatisin gra të bukura me pushtet të na imponojnë vullnetin e tyre. Por këto të emancipuara vetëm në frizurë e elokuencë, duke qenë të njëanshme, nuk kanë fuqinë e brendshme të kuptojnë që, teksa po përdoren, po humbasin edhe sharmin. Për sa i përket popullit shqiptar, le të guxojë politika të bëjë një referendum për profilin e Enver Hoxhës: në daç si kriminel, në daç si udhëheqës shteti. Do të dilte rezultati që do të ndihmonte në objektivizmin e trajtimit populist të historisë, me çka duhet të orientoheshin mirë dhe historianët (përfshi dhe Paskal Milon), për të mos u imponuar nga marrëveshje groteske që, 28 Nëntori është data e Çlirimit, 29 Nëntori është vendosja e diktaturës, se historia nuk ndahet me thikë… Se faktet janë e vërteta absolute, ndërsa koha, vendi dhe rrethanat janë shpjegimi pse u krye fakti. Pra shpjegimi i së vërtetës që mund ta rëndojë, mund ta lehtësojë siç edhe mund ta justifikojë. (Për të theksuar objektivizmin ndaj faktit, por edhe rrethanave historike, po i kujtoj lexuesit se personalisht kam qenë e vetmja, përveç zogistëve, që jam ngritur publikisht kundër qeverisë së atëhershme: Përse nuk lejohet të kthehet Leku Zogu në atdhe.)
Komandimi me disa standarde i dekorimit të partizanëve dhe autoriteteve që ndihmuan rezistencën me rastin e 70-vjetorit të Luftës Nacionalçlirimtare
Shembulli më i spikatur i ndershmërisë për çka thamë më lart, edhe për këtë çështje, është ai i historianit Pëllumb Xhufi. Si dhëndër i Luan Omarit, pra edhe i Bahri Omarit, ai pranon që i ati i Luan e Fatos Omarit, bashkë me Abaz Kupin, Hysni Lepenicën, Safet Butkën e deri Mit’hat Frashërin, janë shquar në fillimet e rezistencës antifashiste. Më vonë ka dritëhije për ecurinë e tyre, deri në kolaboracionistë me pushtuesin. Pëllumb Xhufi thotë qartazi duke iu drejtuar Presidentit, që, Bahri Omari do ta meritonte një dekoratë për rolin në revolucionin e Nolit, i cili është lënë në harresë të plotë. Shumë herët, larg ndjesive personale, jam shprehur me konsideratë të lartë për Luan e Fatos Omarin e bijtë e tyre, që kanë gjetur heshturazi paqen shpirtërore në kontradiktën jetike fatale midis Enver Hoxhës e atit të tyre të pushkatuar nga ai, duke gjykuar objektivisht historinë, çka është më e madhe nga gjithkush, edhe nga vetë Enver Hoxha.
Rasti i dekoratave është një plan tjetër i së njëjtës përmbajtje, i diktatit për interesa konfliktuale të brendshme e të jashtme. Dekorohet Vito Kapo, kapur nga agjentura që në institutin “Nëna Mbretëreshë”. Martuar me Hysni Kapon, krahun e djathtë të Enver Hoxhës. Përgjithmonë anëtare e Komitetit Qendror, duke arritur zenithin si ministre e kabinetit të Enver Hoxhës e më pas të Ramiz Alisë deri në vitet ‘90. Pra vendimmarrëse në persekutimin e shqiptarëve (kur shefi i policisë sekrete, institucion ky konspirativ mbi Sigurimin e Shtetit, ishte vetë Hysni Kapo), vendimmarrëse për çdo ligjshmëri që çoi ekonominë gjithmonë e në rënie. Nuk është e rastit kjo dekoratë, siç nuk ka qenë e rastit katër-pesë vite përpara, që në trojet e ish-Jugosllavisë, Vito Kapo mori titullin “Gruaja më e shquar e Kombit shqiptar”. Shumë partizanë e komunistë të ndershëm nuk janë dekoruar. Më mirë se unë, për këta foli Ermelinda Meksi, mbesë e të nderuarit Dr. Medar Shtylla. Personalisht u gëzova për dekoratën që iu dha hallës sime Vala Rista, që doli në mal që 9-vjeçare, hipur në kurriz të vëllait të saj, apo të tim eti, 14-vjeçar, partizan i ‘41-shit, i çetës plakë të Vlorës. Të dy prindërit e mi nuk u dekoruan si krushq të Enver Hoxhës. Por, si gjithmonë, i trajtoj si shembuj në emër të të gjithë atyre partizanëve të ikur apo që janë ende në këtë jetë e që nuk i nderoi kush.
Hapja e dosjeve dhe lustracioni
I filluar kaq vonë dhe me mendësinë që trajtuam, ky proces do të mbetet fiktiv. Vetë fushata e sipërmarrjes së ngushtë me shumë histerizëm nga dy deputetë e shoqëria civile, tregon që gjithë politika është indiferente ndaj këtij fakti, qofshin edhe të papastër, por më shumë sillen si të vetëdijshëm për fshirjen e fakteve. Por edhe formulimi i metodologjisë së procesit është një absurditet më vete. Sepse do të hapen vetëm dhe në mënyrë private dosjet e atyre që janë të interesuar. Secili nga këta individë do të gjejë aty se si është survejuar, spiunuar, por do të njihet vetëm me inicialet e personave përgjegjës. Iniciale këto, të vërteta apo jo, se urdhëruesi nuk mund të dihet kurrë. Individët prapa inicialeve shpesh prej detyrimit, janë më viktimë se personi që ka survejuar etj. etj. Duke lënë hollësirat e analizës teknike, shtroj pyetjen: Kujt i shërben hapja e dosjes së këtij individi, në këtë mënyrë, me informacionin bazë kriminal të hermetizuar? Ta zëmë se ai nga inicialet do të kuptojë se kush e ka spiunuar; a nuk është hapje jo një shtegu pa dalje, por e një fushe pa anë e pa fund rinxitjesh, konfliktesh personale, për historira krejtësisht të vjetruara dhe me gjasa kur të dyja palët për kohën që kaluan, mbeten të shkarkuara nga pesha e fajit? Ndaj kam qenë gjithmonë për hapjen e dosjeve, që do të bënte pastrimin real në shoqërinë shqiptare, por nuk mund të jem dakord për këtë metodë konfliktndjellëse krejtësisht larg shënjestrës së fajit. Së paku të jepet lista e gjithë agjentëve të Sigurimit të Shtetit që kanë kryer persekutim e gjenocid. Listë kjo, që me ç’tha ish-shefi i SHIK-ut, Fatos Klosi, ekziston.
Ajo që më ka preokupuar gjithmonë e më shumë është përqendrimi vetëm tek Sigurimi i Shtetit, ndërkaq kur jo të gjitha shërbimet e tij kanë qenë në zbatim të luftës së klasave. Askush nuk përmend mundësinë e infiltrimit të agjenturave të huaja, qoftë në Sigurimin e Shtetit, deri në strukturat më të larta të shtetit shqiptar dje dhe sot.
Janë këta e keqja aktive antikombëtare. Janë këta që mbrohen nga të huajt dhe nuk iu ekziston më asnjë dosje të fshira shërbimit përkatës.
Lustracioni
Për vetë arsyet se si po organizohet hapja farsë e dosjeve, edhe lustracioni kaq vonë më duket që do të zhvillohet për qëllime politike hakmarrëse ndaj grupeve të caktuara po politike. Larg këtij qëllimi, lustracioni jo vetëm kush ke qenë në komunizëm, por kush je sot (lidhur me agjenturat e huaja) e për nesër, gjithashtu do të jetë i domosdoshëm si një proces në vazhdimësi.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: