LAÇ

Gazetarja e “BalkanWeb” dhe “News24”, Dorjana Bezat, siguron videon që tregon momentin e nisjes së atentatit ndaj dy biznesmenëve Bujar Lika dhe Paulin Gjergji, më 30 maj të këtij viti në Laç.

Videoja tregon momentin e plagosjes së autorit kryesor të krimit, Eduart Lamaj, ndërsa në pamje shihet momenti kur ai futet i armatosur dhe i maskuar brenda hotelit, ndërsa pas tij futet edhe një person i dytë.

Lamaj është qëlluar sapo është parë nga dy biznesmenët, dhe më pas ka hapur zjarr ndaj tyre, ku dhe ka marrë plagë në këmbë, ndërsa ata i ka vrarë të dy. Ndërkohë, menjëherë pas plagosjes, Lamaj shihet në video teksa tërhiqet zvarrë nga shoku i tij deri sa futet në makinë.

Ndërkohë, pas arrestimit të Eduart Lamajt, Policia e Tiranës ka sekuestruar dy makina. Një Land Rover, e cila është gjetur e parkuar në oborrin e klinikës, ku 30-vjeçari merrte mjekim, rezulton e marrë me qira në Lezhë.

Po ashtu, është sekuestruar edhe një mjet tip Golf seria 5, e cila është gjetur e parkuar në Don Bosko. Makina rezulton në emrin e një të riu në Tiranë, por që pak kohë më parë është blerë nga Lamaj, pasi ky i fundit zotëron edhe aktin e shit-blerjes. Policia i ka sekuestruar këto mjete për të marrë ndonjë provë, por ato nuk lidhen me vrasjen, pasi rezulton të mos jenë përdorur ditën e krimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb