Delegacioni i kongresistëve amerikanë, që vizitoi Luginën e Preshevës të martën, theksoi rëndësinë e stabilitetit dhe të prosperitetit në trajtimin e çështjeve mes shqiptarëve dhe serbëve. Keith Self nga radhët e republikanëve dhe Suhas Subramanyam nga radhët e demokratëve u takuan me zyrtarë të ndryshëm, përfshirë deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, për të marrë informacione dhe mendime të drejtpërdrejta nga terreni.
“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur. Por, do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje. Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, u tha Self gazetarëve. Subramanyam përmendi sistemin arsimor dhe zhvillimin e pabarabartë për shqiptarët në Serbi si një nga problemet kryesore të të drejtave të pakicës, ndërsa tha se në takime është diskutuar edhe çështja e pasivizimit të adresave.
“Realiteti është që Serbia, për të ecur përpara, duhet të jetë në gjendje t’i adresojë këto çështje”, tha kongresisti demokrat. Duke folur për Radion Evropa e Lirë pas takimit, Kamberi tha se kongresistët “janë bindur për situatën ekzistuese në terren” dhe u shfaq i sigurt se problemet në Luginën e Preshevës po marrin vëmendje ndërkombëtare.
“Ekziston një gamë e gjerë problemesh – para së gjithash ai i integrimit në institucionet shtetërore. Mungesa e shqiptarëve në ato institucione – nisur nga policia, kufijtë, gjyqësori, pra në organet që veprojnë në territoret e komunave tona – jo vetëm që shkel të drejtat e shqiptarëve për të qenë të përfaqësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, por krijon edhe situatën ku një pakicë, e cila përbën 95% të popullsisë këtu, nuk ka besim në ato institucione”, tha Kamberi. Ai shtoi se autoritetet në Beograd e shfrytëzojnë ndikimin rus dhe kinez për të dëshmuar gjoja se Perëndimi nuk është opsioni i vetëm, por, sipas tij, Serbia nuk ka alternativa të tjera pos Bashkimit Evropian.
“BE do të thotë pranimi dhe respektimi i të drejtave të pakicave, por politika e kësaj qeverie i ka dëmtuar jo vetëm interesat e pakicave, jo vetëm interesat e komunitetit shqiptar, por edhe vetë interesat afatgjate të Serbisë”, sipas Kamberit. Vizita e kongresistëve amerikanë në Preshevë – qytet në jug të Serbisë, i banuar me shumicë shqiptare – vjen pasi, në fillim të këtij viti, Komiteti për Politikë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan miratoi një projektligj, që i kërkonte sekretarit amerikan të Shtetit të përgatiste një raport gjithëpërfshirës për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës. Projektligji, i iniciuar nga kongresisti Self, parashikon shqyrtimin e disa çështjeve që lidhen me pakicën shqiptare në Serbi, përfshirë pasivizimin e adresave, përkatësisht fshirjen e qytetarëve nga adresat ku janë të regjistruar.
Ai trajton, gjithashtu, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, mosnjohjen e diplomave nga Kosova dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Këto çështje janë përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023.
Çfarë thonë qytetarët?
Samet Maksuti nga Presheva nuk pret ndonjë ndryshim pas vizitës së kongresistëve amerikanë.
“Nuk ka punë, nuk ka fabrika, njerëzit nuk kanë ku të punojnë. Shumë kanë migruar në Gjermani”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sabit Rexhepi thotë se nuk ka ndonjë problem në qytet dhe se bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe serbëve është e mirë. “Politika i kërcënon të drejtat e pakicave, por, me njëri-tjetrin, ne nuk kemi probleme”, thotë ai. Për ndryshimet eventuale që mund t’i sjellë vizita e kongresistëve amerikanë, ai thotë se ato varen nga politikanët. “Por, unë nuk pres të ketë ndonjë gjë më mirë. Derisa Aleksandar Vuçiq të jetë president [i Serbisë], nuk do të ketë asgjë”, thotë Rexhepi. Një ditë më parë, kongresistët amerikanë qëndruan në Beograd, ku u takuan me sekretaren shtetërore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Nevena Jovanoviq.
Sipas njoftimit të kësaj ministrie, në takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe mes Serbisë dhe SHBA-së, për situatën në rajon, si dhe për pozitën e komunitetit serb në Kosovë. Po ashtu, ishte planifikuar edhe një takim me kryetaren e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, por ai u anulua. Më 24 maj, kongresistët amerikanë vizituan edhe Sarajevën, ku theksuan përkushtimin e tyre ndaj Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës. Ata pritet ta vazhdojnë turneun në Ballkan me një vizitë edhe në Kosovë, ku me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, do të takohen më 27 maj.
Cila është pozita e shqiptarëve në Serbi?
Pjesëtarët e komunitetit shqiptar që jetojnë në jug të Serbisë, në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, shpesh kanë ngritur shqetësime për praktika diskriminuese nga autoritetet në Beograd, ndërsa zyrtarët e Qeverisë së Kosovës i kanë mbështetur vazhdimisht pretendimet e tyre.
Kosova u ka ofruar mbështetje në disa fusha, përfshirë bujqësinë, por ka raportuar se Serbia ka penguar realizimin e disa pagesave. Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës dhe shteti serb kanë arritur tri marrëveshje në vitet 2001, 2007 dhe 2013, të cilat parashihnin mbrojtjen e të drejtave dhe integrimin e pakicës shqiptare, por zbatimi i tyre ka mbetur i kufizuar. Integrimi i shqiptarëve në institucione është gjithashtu pjesë e obligimeve të Serbisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2022, në Serbi jetojnë mbi 60 mijë shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe në këtë vend. Ndërkohë, vendimi i Beogradit për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak ka shkaktuar shqetësim te shqiptarët e kësaj zone, të cilët thonë se kanë përvoja të dhimbshme nga e kaluara. Në një raport të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi në vitin 2021, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci përshkruhen si “peng i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”./REL
