Sot bëhen tre vjet nga sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Tre vjet pas ngjarjes, ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, i cili ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit, dhe dhjetëra persona të tjerë të akuzuar për përfshirje në rast, vijojnë të jenë të lirë në Serbi.

Në prill të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burgim të përjetshëm Blagoje Spasojeviqin dhe Vladimir Toliqin, ndërsa Dushan Maksimoviqi u dënua me 30 vjet burgim.

Në aktgjykimin e plotë, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka përshkruar sulmin e 24 shtatorit 2023 si veprim të një grupi të organizuar, pjesëtarët e të cilit kishin lidhje të mëhershme me njëri-tjetrin, ishin të armatosur, kishin mjete logjistike dhe pozicione të përcaktuara për aksionin.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Ngadhnjim Arrni dhe me anëtarët Rrahman Beqiri e Donikë Shala-Abdyli, ka vlerësuar përgjegjësinë e secilit prej tre të dënuarve veçmas. Sipas gjykatës, vendimi është mbështetur në prova lidhur me praninë, dijeninë, dashjen, komunikimet, pajisjet, sendet personale dhe kontributin e tyre në veprimin e përbashkët të grupit.

Tre të dënuarit janë në mesin e 42 personave të akuzuar për këtë rast. Në mesin e tyre është edhe Milan Radoiçiq, i cili u ndalua dhe u mor në pyetje në Beograd në tetor të vitit 2023, por më pas u la i lirë.

Për Radoiçiqin dhe të akuzuarit e tjerë janë lëshuar fletarrestime ndërkombëtare, ndërsa ata konsiderohen të arratisur nga drejtësia në Kosovë.

Në aktakuzë, Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon të dyshuarit me veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit”, “Shpërlarja e parave” dhe “Vrasje e rëndë”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, qëllimi i grupit të armatosur ishte ndarja e veriut të Kosovës.

Përveç tre personave të dënuar në shkallë të parë, autoritetet kosovare kanë arrestuar gjatë këtij muaji edhe një shtetas serb, i dyshuar për përfshirje në sulmin e Banjskës.

Në trevjetorin e sulmit ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai e cilësoi grupin si një formacion terrorist paraushtarak të organizuar, të cilin, sipas tij, e kishte drejtuar dhe financuar Beogradi dhe që udhëhiqej nga Milan Radoiçiq.

Kurti deklaroi se qëllimi i sulmit ishte shkaktimi i një konflikti të armatosur dhe gjakderdhjeje në afërsi të manastirit të Banjskës, si dhe më pas aneksimi i veriut të Kosovës.

Ai tha se zmbrapsja e grupit ishte rezultat i veprimit të institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës.

“Tre kriminelë janë vrarë gjatë aksionit atë ditë, tre janë në burg që prej asaj dite, e të gjithë të tjerët do të përgjigjen para drejtësisë në vendin tonë”, shkroi Kurti.

Sulmi ndodhi më 24 shtator 2023, kur një grup i armatosur zuri pritë ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës në veri të vendit. Në përleshjet që pasuan u vra polici Afrim Bunjaku.

Sulmuesit u tërhoqën më pas drejt zonës së fshatit Banjskë, ku u zhvilluan përleshje me forcat e Policisë së Kosovës. Pamjet e siguruara nga dronët treguan një pjesë të grupit të armatosur, përfshirë edhe momentet e tërheqjes së tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: