“Shumica e serbëve nga veriu i Kosovës nuk i marrin vetë vendimet e rëndësishme jetësore, si karriera profesionale apo edhe vendbanimi, por e kanë lënë jetën në duart e pushtetit autoritar dhe të korruptuar serb.

Cilado qoftë zgjidhja për Kosovën, këta njerëz tashmë kanë humbur gjënë më të çmuar që kishin – mundësinë për të ndikuar fatin e tyre dhe kjo është një tjetër tragjedi e shkaktuar nga regjimi i Aleksandër Vuçiçit”, kështu deklaroi analisti serb, Dragan Popoviç, për median vendase Danas.

I pyetur nëse dhe kur serbët do të kthehen në vendet e tyre të punës dhe në institucionet e Kosovës, ai tha se largimi i serbëve nga institucionet e veriut të Kosovës, është një demonstrim i fuqisë së Aleksandër Vuçiçit që ai ende ka potencial për të ndikuar në stabilitetin rajonal.

“Besoj se pas vendimit qëndron një kombinim i arsyeve të ndryshme. Kryesorja është sigurisht mesazhi për bashkësinë ndërkombëtare se ekziston mundësia e përshkallëzimit të konfliktit nga pala serbe dhe se ky faktor duhet të merret parasysh. Nga ana tjetër, autoritetet serbe sigurisht që duhet ta radikalizojnë situatën sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që çdo zgjidhje ta paraqesin si më të mirën e mundshme në atë moment ose të paktën si një të keqe më të vogël në krahasim me luftën, spastrimin etnik apo skenarë të ngjashëm katastrofikë. Nuk kam dyshim se ka edhe një rivalitet të konsiderueshëm ndaj Kurtit, i cili, ndryshe nga paraardhësit e tij, sillet në mënyrë të ngurtë dhe nuk tregon gatishmëri as për t’u dorëzuar dhe as për t’iu nënshtruar presionit të Perëndimit. E gjithë kjo solli vendimin për largim nga institucionet e Kosovës”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: