kreu i Lëvizjes Vetëvendosja në Tiranë, Boiken Abazi, bëri një denoncim të fortë nga “Shkolla e Kuqe”, në kryeqytet, e kthyer në qendër numërimi të votave.

Në një intervistë për gazetaren e “News24” dhe “BalkanWeb”, Erjola Jata, Abazi tha se komisionerët po bëjnë të pavlefshme votat e LVV, duke vënë edhe një X tjetër në fletën e votimit.

“Është duke ndodhur, edhe në këtë qendër votimi, ata vendosin me X një kuti të dytë, aty ku është votuar për ne, për t’i shpallur votat të pavlefshme. Numri i votave të pavlefshme po rritet me shpejtësi. Në bindjen tonë kjo rritet, sepse po i nxjerrin fletëvotimet të pavlefshme. Kandidati ynë, Kreshnik Merxhani, ka nxjerrë tani një video, ku shihet se si komisioneri vendos një X në fletën e votimit, ku ne besojmë për t’i shpallur ato të pavlefshme. Këta po vjedhin në bashkëpunim. Qartazi një pjesë është e lidhur drejtpërdrejt me PS. Nga informacionet që kemi nga vëzhguesit tanë, shumica janë me PS, por ka edhe me PD. Polica po keqpërdoret sërish, me urdhra të jashtëligjshëm, që ata po i zbatojnë, me frikën se mos i heqin nga puna. Ka pasur momente kur policia ka ndërhyrë fizikisht edhe ndaj meje.

Është shumë e rëndësishme që problematikat e këtij procesi të dalin në pah. Ne jemi këtu në një projekt afatgjatë, ky është vetëm hapi ynë i parë elektoral në Republikën e Shqipërisë. Këtu kemi mësuar se si këta e deformojnë votën drejtpërdrejt. Ka dhe një problematikë tjetër, dje procesverbali kishte 13 emrat në listë, ku unë jam i 13, ndërsa sot kishte vetëm 12, më kishin zhdukur. Kur u ankova, më thanë që të paraqes shkresën me shkrim. Kjo është situata në të cilën po zhvillohen këto zgjedhje në Shqipëri”, tha kreu i LVV.

Ndërkohë, gazetarja Jata ka zhvilluar një komunikim të shkurtër me kreun e kësaj KZAZ-je, lidhur me denoncimin e Boiken Abazit, i cili ka thënë se “Z. Abazi mund të paraqesë me shkrim çdo ankesë. Këtu po filmohet gjithçka. Vëzhguesit e z. Abazi gjatë gjithë kohës filmojnë e fotografojnë, kur në fakt këtë gjë nuk mund ta bëjnë. Ne do të vazhdojmë me numërimin dhe besoj nga mesnata do të kemi një rezultat paraprak”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb