TIRANE – Zbardhen dëshmitë e dhëna në sallën e gjyqit të Gjykatës së Lartë nga Gjok dhe Gjergj Cali, dy vëllezërit që pretendojnë të jenë sulmuar fizikisht nga ana e deputetit Armando Prenga mbrëmjen e së premtes së kaluar në Laç. Duke iu referuar deklarimeve të dhëna në Prokurori nga ana e deputetit Armando Prenga, përfaqësuesit e Prokurorisë thanë dje se dyshohet se Gjok Cali është përballur në rrugë me deputetin, pasi ky i fundit kishte qenë te lokali i tyre. Sipas deputetit, Cali mbante një thikë në dorë dhe e ka kërcënuar, ndaj ai ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar me qytën e saj në kokë dhe ka shtënë një herë në ajër. Deklarimet e deputetit u kundërshtuan me forcë nga ana e të dyshuarit, Gjok, në sallën e gjyqit.
“Unë nuk kam pasur asnjë mjet në dorë. Nuk kam shkuar të rrihem e as të kërcënoj njeri. Ai ka dashur të më vrasë. Ishin nja tre veta të tjerë aty që i dolën para dhe e mbajtën, se do më kishte qëlluar drejt. Unë i kam çuar SMS ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi më lajmëruan të afërmit e mi se Armando Prenga i kishte kërcënuar te lokali në lagunë. I kam thënë që dua të denoncoj, por nuk kam besim te Policia e Laçit. M’u përgjigj me SMS dhe më tha “I kam marrë të gjitha masat”. Kjo që ndodhi, është e prerë në besë nga Policia e Shtetit”,- tha Gjok Cali.
Më herët, avokati i tij mbrojtës tha se klienti i tij Gjok, kishte shkuar në Polici i shoqëruar nga një furgon policie.
“Ai nuk ka pasur besim të bënte denoncim në Laç, por ka dashur të shkojë dhe të denoncojë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Tiranë”, tha avokati.
Sipas tij, pasi ka njoftuar drejtonin e Policisë dhe ministrin e Brendshëm, dhe ka marrë garanci për të bërë denoncimin, i dyshuari Gjok ka shkuar me makinën e tij personale në komisariat, ndërkohë që shoqërohej nga një furgon policie.
Avokati saktësoi se pasi ka mbërritur në komisariat, ai është marrë në zyrat e brendshme për të dhënë deklarime dhe bërë kallëzim, ndërsa të afërmit e tij janë nxjerrë jashtë, ku edhe ka ndodhur përplasja e dhunshme.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: