TIRANË

Janë 5 persona në Shqipëri të prekur nga COVID-19 që kanë humbur jetën nga komplikacionet në zemër, infarkt i miokardit apo arrest kardiak.

Gazetari Erjon Skëndaj raportoi nga QSUT për “BalkanWeb” se për asnjë prej tyre nuk përmendet pneumonia që është problemi kryesor dhe simptoma më e shfaqur e COVID-19.

“Më 24 mars humb jetën 49-vjeçari nga Puka që kishte 10 ditë në terapi intensive, mjekët thanë arrest kardiak, ndërkohë që kishte dhe diabet.

Më 27 mars, humbi jetën një 66-vjeçare nga Fieri që kishte dy ditë e shtruar në Infektiv, mjekët thanë infarkt, ndërkohë që vuante dhe nga hipertensioni dhe sëmundjet kronike pulmonare.
Më 30 mars humbi jetën 79-vjeçari nga Tirana, 18 ditë i shtruar. Mjekët thanë se ishte përmirësuar por vdiq nga infarkti.
Më 31 mars vdiq një 77-vjeçar nga Kavaja, mjekët thanë nga një infarkt i miokardit. Ai vuante nga diabeti, insuficienca kardiake dhe renale.

Dhe me viktimën e 4 prillit, 84-vjeçarja nga Tirana bëhen 5 viktima që kanë ndërruar jetë nga një infarkt, ndërkohë që nuk thuhet se viktimat kanë qenë të intubuara dhe kanë shfaqur një pneumoni të rëndë.

Në spital 65 të shtruar, në terapi intensive 5 persona, një i intubuar. Në sanatorium janë 5 persona, 2 prej tyre të intubuar.
Në 4 raste infarkt, në një rast arrest kardiak. Ndërkohë që nuk thuhet pneumonia, duke fshehur shkakun kryesor të vdekjes”, raportoi Skëndaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb