Bylisi nuk siguroi më shumë se një pikë në ndeshjen delikate me Dinamon. Ajo që të bën përshtypje është fakti se në tri javët e fundit ballshiotët kanë pësuar gola në 10 minutat e fundit, duke rrezikuar shumë.
Kështu ndodhi me Flamurtarin, por edhe në Rrogozhinë dhe, së fundmi, me Dinamon. Bylisi ka lënë pikë mjaft të çmuara, që në fund vlejnë për objektivin kryesor të skuadrës mallakastriote. Pa thënë se edhe ndaj bluve, sidomos në pjesën e dytë, mallakastriotët shfaqën mangësi në sulm.
Megjithatë, nga dje skuadra ka dalë në fushën e stërvitjes dhe ka nisur që të mendojë për një tjetër duel, atë me Partizanin në transfertë. Janë edhe pesë ndeshje dhe 15 pikë në lojë, me ballshiotët që tashmë i kanë të gjitha si finale. Kjo javë që shkoi nuk foli për ta, teksa fitorja e Tiranës, apo edhe pikët e Vorës dhe Flamurtarit, e kanë bërë edhe më të ndezur garën për mbijetesë, ku të gjithë janë në lojë.
Nga ana tjetër, një finale e nxehtë i pret këtë javë, ku Partizani synon katërshen. Por Bylisi do të ketë një mungesë shumë të rëndësishme, siç është ajo e Fabjan Përndrecës në duelin me të kuqtë. Ndaj edhe Josa do t’i duhet që, bashkë me stafin, t’i bëjnë llogaritë pa një nga më të mirët e skuadrës së tyre, në një transfertë delikate dhe shumë të rëndësishme. Alternativat nuk mungojnë dhe, po të shtosh edhe Sulovarin e dëmtuar, atëherë do të ketë lëvizje të detyruara, me rikthimin e Brunos, që duket ende larg formës më të mirë.
Në krah mund të zhvendosen Marku, Kane, por edhe Dimov, ndërsa skema mund të lëvizë edhe në varësi të formës së lojtarëve, sepse edhe Stoilov ishte një ndërrim i detyruar. Megjithatë, ndaj të kuqve, ballshiotët do të kenë finalen e radhës për mbijetesën, me synim marrjen e pikëve.
