Këto ditë fatkeqësisht janë të mbushura me lajme të vrasjeve të grave, si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi.
Vrasje, të cilat kanë karakteristika të përbashkëta dhe rrënjët duhet të kërkohen në mentalitetet e thella patriarkale të shoqërive përkatëse. Këta individë me mentalitete të tilla, e konsiderojnë gruan dhe bashkëshorten si pronë dhe shkojnë deri aty sa t’i marrin dhe jetën. Këto nuk ndodhin papritur, por janë rrjedhojë e një dhune të vazhdueshme familjare që merr përmasa në një kontekst më të gjerë; mentaliteti të prapambetur shoqëror dhe rrjeti konservator familjar. Në këtë mjedis gruaja nuk gjen as mbështetje, nuk gjen as rrugëdalje nga një situatë terrori që përjeton dhe përfundojnë në tragjedi të tilla.

Vrasja e Bedries në Shqipëri, e gruas shqiptare shtatzënë, në Greqi, në të cilën kriminelë janë bashkëshorti i saj në bashkëpunim me një kriminel tjetër. Spërkatja dhe djegia me benzinë e një gruaje tjetër nga bashkëshorti i saj, tregojnë jo thjesht një krim, por kanë të përbashkëta karakteristikat e një krimi ( ose tentim) nga më mizorët. Sigurisht që dhuna kundër grave ka dhe karakteristikën e racizmit, sepse e trajton gruan jo si të barabartë, por si një qytetare e kategorisë së dytë, në krahasim me burrat.

Dhuna familjare dhe vrasjet e grave emigrante, përmbajnë dhe dimensione të tjera për faktin e pozicionit që kanë në shoqërinë ku jetojnë, sa të izoluara janë nga institucionet e kësaj shoqërie dhe çfarë aksesimi ka në strukturat sociale dhe në organizmat për drejtat e gruas dhe sa është e informuar për këto struktura dhe të drejtat e saj. Është ajo që një shoqja jonë shkruante se gruaja emigrante përjeton shtypje të shumta dhe paralele.

Sikurse dhe në rastin e vrasjes së Jorgjisë, karakteristikat janë të përbashkëta, pavarësisht nga origjina e viktimës apo e kriminelit. Aty ku duhet të ndalemi është si do të ishte trajtimi nga mediat greke nëqoftëse do të ishte e kundërta?! Domethënë, viktima të ishte grua me origjinë greke dhe vrasësit me origjinë shqiptare??!
Sigurisht që do të kapeshin nga ky fakt, sikurse çdo herë tjetër. Duke i dhënë përmasa të mëdha origjinës e cila nuk ndodh vetëm për sensacione, por mbështetet në propagandën raciste duke bërë përgjithësime dhe duke vënë në shënjestër të gjithë emigrantët e së njëjtës origjinë.

Ndërkohë që në Greqi ekziston një lëvizje e fuqishme feministe që vitet e fundit, ka sjellë në sipërfaqe shtypjen patriarkale të gruas greke dhe praktika të dhunës kundër grave jo vetëm në sferën familjare dhe private por edhe në sferën publike dhe ushtrohet një presion i madh në shtetin grek dhe prej organeve të policisë për të krijuar një mbrojtje institucionale për të gjitha gratë që janë viktima të dhunës në familje, si dhe gjithashtu, për të drejtat e gruas në Greqi. Gjithashtu ky problem i mprehtë social është shumë larg në axhendën e debatit publik.

Përsa i përket pozicionit të grave emigrante, dhe në veçanti asaj shqiptare vërehet një pjesëmarrje dinamike e grave si në organizatat emigrante ashtu dhe organizata të mirëfillta të grave.. Dhe shumë jemi të sensibilizura për këtë çështje shoqërore dhe për pozicionin e grave emigrante jo vetëm në raport me familjen, por njëkohësisht pozicionin dhe problemet që ka si emigrante. Por ajo që mungon është lidhja e ngushtë me lëvizjen feministe greke dhe njëkohësisht midis organizatave të ndryshme të emigrantëve shqiptarë për të drejtat e grave. Qëllimi është të sjellë në sipërfaqe problemet e gruas emigrante dhe dhuna familjare që shpesh ushtrohet mbi to duke kërkuar që të përfshihen jo vetëm në mbrojtjen institucionale shtetërore, por gjithashtu të ketë mundësi që të përkrahet nga strukturat mbështetëse dhe mbrojtjes së tyre por dhe të ndihet që nuk është e vetmuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb