Busti i Mit’hat Frashërit që gjendej pranë kodrave të Liqenit Artificial në Tiranë, është shkatërruar gjatë natës së djeshme. Skulptura, vepër e artistit Agim Rada është hedhur nga struktura mbajtëse dhe ka rënë mbi varrin e Mit’hat Frashërit, duke dëmtuar gjithë pllakën e mermertë.

Studiuesi Uran Butka që drejton institutin e Studimeve Mit’hat Frashëri dhe i ka botuar veprën e plotë, e sheh ngjarjen si akt të rëndë.

“Është një akt i rëndë, atentat ndaj kulturës shqiptare është një vepër e shëmtuar e forcave të caktuara regresive, enveriste, kundër figurës madhore të historisë, kulturës shqiptare”, deklaron Butka.

Figura e Mit’hat Frashërit, e ndaluar nga komunizmi dhe e anatemuar pas rënies së tij, është parë më dritëhije, por dëmtimi i varrit cenon më shumë se figurën e tij.

“Të trazosh varrin e tij, eshtrat e tij, nuk është vepër shqiptare. Shqiptari e ka zakon të nderojë. Nuk duhet politizuar. Institucionet shtetërore e kanë për detyrë t’i mbrojnë këto vepra e simbolet të kombit”, u shpreh studiuesi.

Eshtrat e figurës poliedrike të Mit’hat Frashërit u kthyen në Shqipëri në vitin 2018 në një ceremoni zyrtare dhe u vendosën pranë memorialit të tre vëllezërve Frashëri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb