TRENTON

Rasti i dytë “i supozuar” i koronavirusit është raportuar në Kanada dhe është gruaja e personit që fillimisht u raportua se ishte infektuar me sëmundjen respirative.

Zyrtarët e shëndetësisë në Toronto thanë se ajo ka qenë në izolim që nga e shtuna, kur zbarkoi me burrin e saj në Aeroportin Ndërkombëtar Pearson.

“Duke pasur parasysh faktin se ajo ka qenë në izolim, rreziku për banorët e Ontarios mbetet i ulët”, tha mjeku David Williams, zyrtari kryesor i shëndetësisë në Ontario.

“Ne po punojmë së bashku me Shëndetin Publik të Torontos, i cili ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me individin gjatë periudhës së tyre të izolimit”, shtoi ai.

Të dy personat janë kthyer nga qyteti Wuhan, qendra e përhapjes së koronavirusit në Kinë.

Burri, i cili është në të 50-tat, mbetet në gjendje të qëndrueshme në spitalin në Toronto, ndërsa gruaja e tij aktualisht nuk trajtohet në spital.

Zyrtarët e shëndetësisë thanë se po përpiqen që të kontaktojnë udhëtarët e tjerë në aeroplan për t’i testuar për virusin.

Ndërkohë, zyrtarët kinezë raportuan se numri i personave të vdekur nga koronavirusi ka arritur në 76 në provincën Hubei, ku gjendet edhe qyteti Wuhan, si dhe për katër viktima shtesë në pjesë të tjera të vendit. Numri i rasteve të konfirmuara është rritur në 2.744.

Prania e koronavirusit llogaritet “e supozuar” derisa Laboratori Kombëtar i Mikrobiologjisë në Winnipeg të konfirmojë testin e laboratorit në Ontario, duke e bërë atë zyrtar.

Mjekët thanë që përderisa rreziku i infekstimit mbetet i ulët, kanadezët duhet të marrin masa paraprake, siç është larja e shpeshtë e duarve.

Mjekët gjithashtu thanë se maskat mbrojtëse kanë pak efekt në parandalimin e sëmundjes në mjediset jashtë spitaleve.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb