POGRADEC-Diana Mile është një nga gratë që koali cioni i majtë kandidon në Bashkinë e re të Pogradecit. Për disa mandate rresht, bashkia që përfshinte vetëm qytetin në një zonë më të vogël është drejtuar nga të zgjedhurit socialistë. Tashmë pjesë e bashkisë së re, me ndarjen e re administrative janë bërë edhe disa komuna, që nisin nga komuna Buçimas, ku mandatin e fundit fitoi kandidati i LSI-së, deri në Mokër e më tej, në fshatrat në anën e liqenit të Ohrit. E gjithë vija e liqenit, por edhe zona malore dhe shumë e izoluar e Mokrës, do jenë pjesë e bashkisë së re. Koalicioni PS-LSI, pas shumë kërkimesh vendosi që në këtë zonë të kandidojë një grua, e cila është edhe arkitekte shumë e zonja, me një seri projektesh të zbatuara. Më i njohuri është projekti i rijetësimit të fshatit Tushemisht. Nga një zonë pothuajse e pavizituar, e izoluar vetëm për banorët e këtij fshati, që bën përpjekje maksimale për të qenë destinacion turistik, Tushemishti, me shtëpitë e rrugicat me kalldrëm, është kthyer në një destinacion turistik. Gjithkush që shkon në Pogradec nuk e humb mundësinë të vizitojë rrugët e fshatit, të cilat të gjitha mblidhen në shtatoren e Teto Ollgës.

Aktorja Violeta Manushi është përjetësuar në rolin që e njohin të gjithë shqiptarët. Zonja nga qyteti, është një eksperiencë dhe një ide se si Pogradeci, një zonë me potenciale shumë të mëdha zhvillimi turizmi, mund të dalë nga varfëria që ka pushtuar pjesën më të madhe të banorëve, që prej vitesh po shikojnë se si pjesa më e bukur e Shqipërisë Juglindore varfërohet, për shkak të mungesës së një menaxheri apo menaxhereje të mirë dhe për shkak të projekteve të copëzuara që nuk kanë efektin që dëshirohet. Diana Mile, me profesion arkitekte, thotë se u është përkushtuar punës së saj dhe projekteve. Ajo tregon për “Gazeta Shqiptare” që ka realizuar projektin për zhvillimin urbanistik të bregut të liqenit, në zonën pothuajse bosh mes qytetit dhe fshatit Tushemisht. Studimi është miratuar nga KRRTRSH dhe është bërë detyrim për çdo plan investimi. Autorja e studimit, tashmë kandidate bashkiake, thotë se ideja e saj ishte të krijonte një zonë ku të mbizotërojë gjelbërimi, ndërtesa të ulëta pushimi apo banimi. “Një zonë që të tërhiqte njerëzit e pasur të investonin, jetonin e në këtë mënyrë të sillnin në qytetin tonë paratë që do t’i shërbenin punësimit, tregtisë dhe zhvillimit të turizmit, për të cilin kemi aq shumë nevojë”, – thotë Mile, e cila shton se, një projekt i tillë do rriste shumë vlerën e gjithë hapësirës, duke sjellë punësim dhe të ardhura për banorët pronarë të tokës, dhe punësim e mirëqenie për banorët, fermerët dhe blegtorët. Një projekt i plotë zhvillimi në gjithë gjatësinë e bregut të liqenit, nga fshati Lin deri në kufi me Maqedoninë, në Tushemisht, do e bëjë Pogradecin njësoj të vizitueshëm dhe me standarde të ngjashme me pjesën tjetër të bregut, në Strugë e Ohër deri në Shën Naum. Kjo është ideja e arkitektes, që synon të drejtojë në këtë mandat Bashkinë e madhe të Pogradecit. Mundësinë e madhe që dha pastrimi i bregut të liqenit nga ndërtimet e gabuara, Diana Mile thotë se do ta shfrytëzojnë për t’i sjellë një shans të dytë edhe atyre që në një plan afatshkurtër u dëmtuan me largimin e lokaleve, kioskave dhe ndërtimeve. Një mënyrë e tillë zhvillimi do të bëjë që papunësia në Pogradec të bjerë shumë shpejt dhe Diana Mile është e sigurt se do të kërkohet ndihmë që të kërkohen edhe të tjerë nga zonat e bashkisë për punësim.

Këtu është shansi akoma më i madh që u jepet edhe fshatrave të bashkisë së re që bazohen te bujqësia dhe blegtoria. Pogradeci me këtë mënyrë zhvillimi do kthehet në kryeqendrën e turizmit jo vetëm në verë, por edhe gjatë muajve të dimrit. Në këtë mënyrë do ketë një fluks të shtuar të vizitorëve. Ka ekzistuar një periudhë kur Pogradeci gjatë muajve të verës trefishohej, duke e kthyer gjithë qytetin ne një shtëpi të madhe pushimi ku banorët gëzonin të ardhurat që vinin nga plazhistët. Diana Mile thotë se “ne do të kemi tani edhe një mundësi shumë të mirë me ndarjen e re administrative. Fshatrat e Mokrës hyjnë në bashkinë e re dhe zona, deri më sot e izoluar, do t’u bëhet pjesë projekteve të bashkisë”. Një arkitekte është në gjendje profesionale shumë më të mirë për të menaxhuar edhe zonën e fshatrave, bujqësia dhe blegtoria e të cilave janë primare në sigurimin e jetesës. Banorët e Mokrës, përveç punësimit duan edhe rrugë, dhe “ne na ka dhënë mundësinë e artë edhe rruga e re Qukës – Qafë- Plloçë, e cila nis ndërtimin në muajin maj.

Përveç punësimit të shpejtë, kjo rrugë do urbanizojë gjithë fshatrat e Mokrës për të zhvilluar bujqësinë, cilësinë e jetesës. Kjo është një zonë ekologjikisht shumë e pastër dhe me një natyrë të bukur, që do bëhet një destinacion turistik, por edhe kulturor. Në Mokër janë monumente kulture të antikitetit e mesjetës, të cilat kërkojnë vetëm një mendje të zgjuar për ta vënë në punë. Bashkëpunëtorët e Diana Miles thonë se “Pogradeci është si një shtëpi e madhe dhe e rrëmujshme dhe duhet dora e një gruaje, arkitekteje që të rregullohet”. Fushata ende s’ka nisur dhe kandidatja e majtë në Pogradec është në fazën e konsultimeve me grupet e interesit, banorët e Pogradecit e gjithë komunave që do hyjnë në bashki. Pas kësaj faze, Diana Mile thonë se do të paraqesë programin e bashkisë së re, program që mbështetet fort edhe nga qeveria aktuale e mazhorancës së majtë.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: