Pas humbjes 0-2 ndaj Dinamos në ndeshjen e parë të “Final 4”, te Vllaznia atmosfera nuk është më ajo e javëve të fundit. Disfata ndaj kryeqytetasve ka ulur ndjeshëm entuziamin në kampin kuqeblu, aty ku gjatë gjithë sezonit skuadra kishte transmetuar siguri dhe optimizëm. Në Shkodër tashmë kërkohet reagim, pasi momenti aktual konsiderohet një nga më delikatët e sezonit.
Skuadra e drejtuar nga Edi Martini nuk arriti të tregojë versionin e saj më të mirë në përballjen me Dinamon, duke lënë hapësira dhe duke mos pasur qartësinë e zakonshme në repartin ofensiv. Një humbje që ka sjellë edhe dyshime mbi gjendjen psikologjike të ekipit në këtë fazë vendimtare të kampionatit. Megjithatë, një lajm pozitiv për shkodranët ka ardhur nga sfida tjetër e “Final 4”.
Fitorja e Egnatia me rezultatin 0-4 ndaj Elbasani ka bërë që gara për titull të mbetet plotësisht e hapur. Edhe pse rrogozhinasit janë tashmë të barabartë me pikë me Vllazninë, ata nuk lejuan që Elbasani të krijonte një shkëputje të rëndësishme në renditje. Situata aktuale ka bërë që tre skuadrat të mbeten në garë të plotë për titullin kampion.
Diferencat janë minimale dhe çdo ndeshje mund të rezultojë vendimtare në përcaktimin e ekipit që do të ngrejë trofeun në fund të sezonit. Pikërisht kjo mban ende gjallë shpresat në kampin kuqeblu. Te Vllaznia ekziston bindja se gjithçka vazhdon të jetë në dorën e skuadrës.
