Ditëlindja e Kadaresë së madh solli dhe njëherë në fokus figurën e tij shumë dimensionale nga njëra anë, por edhe ndarjen politike që sjell vlerësimi për të.

Mesazhe të shumta pati ditën e djeshme për 86-vjetorin e shkrimtarit shqiptar, i vlerësuar me titullin “Kalorës i Madh i Urdhrit të Yllësisë së Frankofonisë dhe dialogut midis kulturave”.

Mesazhet erdhën si nga përfaqësues të maxhorancës dhe intelektualë në Shqipëri, ashtu dhe nga politikanë e personalitete nga Kosova, por ajo që ra në sy ishte mungesa e mesazheve apo vlerësimeve nga opozita shqiptare apo dhe Kreu i Shtetit, i cili është treguar gjithmonë i kujdesshëm në evente të tilla.

Fjalë pak, me një foto të tij, kryeministri Rama uroi përmes një postimi në facebook, kolosin e letrave shqipe.

Vlerësime, bashkë me urimin në këtë 86- vjetor shprehu edhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla, e cila e konsideroi Kadarenë në mesazhin e saj, një ndër simbolet e kombit, qytetërimit dhe kulturës shqiptare.

Ndër anëtarë të maxhorancës, uruan gjithashtu ministrja Spiropali, apo kreu i grupit të PS, Taulant Balla.

Gjithashtu Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani uroi përmes një postimi në facebook, gjeniun e letrave shqipe, ndërsa shfaqej në një foto, duke lexuar një prej botimeve të tij.

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ndau një foto me shkrimtarin e madh, Kadare ndërsa uroi atë në këtë 86-vjetor.

Për të nderuar figurën e tij, Akademia e Shkencave organizoi me rastin e datëlindjes së Ismail Kadaresë, shkrimtarit më të njohur, më të përkthyerit e fituesi i dhjetëra çmimeve ndërkombëtare, një konferencë shkencore nën titullin “Ismail Kadare, një disidencë letrare”, nisur nga libri i fundit i studiuesit francez Jean Paul Champseix për të. Ndërkaq, Drejtoria e Përgjithshme e arkivave, publikoi në faqen e vet zyrtare, kopjen e dorëshkrimit të romanit të tij të parë, “Qyteti pa reklama” të 1959, që mbeti në dorëshkrim dhe u botua pas viteve 1990. Dorëshkrimi ju dhurua arkivit nga autori në maj të vitit të shkuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb