A ishte Nexhmije Hoxha-Xhunglini, gruaja e diktatorit Enver Hoxha, pjesë e Partisë Fashiste para se të bëhej gruaja e udhëheqësit komunist? Ish-drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme Kastriot Dervishi, ka publikuar një dokument, për të cilin thotë: “Regjistrimi i Nexhmije Xhuglinit në Partinë Fashiste. Meqë tani jemi në prag të 29 Nëntorit ‘të lavdishëm’, për të gjithë antifashistët e vërtetë apo falsë, po postoj për njohje e ndërgjegjësim dokumentin e regjistrimit në Partinë Fashiste të zonjushës Nexhmije Xhuglini. Ky dokument është i datës 10.11.1941. Dokumentin e kam publikuar në librin tim ‘Historia e lëvizjes komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së’. Dokumenti në fjalë si dhe disa të tjera rreth saj, ruheshin nga Enver Hoxha”.

NEXHMIJA
Në përgjigje të këtij dokumenti, Artan Lame ka reaguar për Newsbomb.al pas publikimit të një dokumenti nga historian Kastriot Dervishi, që sipas tij tregonte për përfshirjen e Nexhmije Hoxhës, në rininë e saj, në Partinë Fashiste. Lame shprehet se dokumentin e gjykon origjinal, por pikërisht aty tregohet se bashkëshortja e ish-diktatorit nuk ka qenë anëtare e Partisë Fashiste, por pjesë e Rinisë Fashiste Shqiptare, që sipas tij ishte detyrë për të gjithë të rinjtë e kohës.

Nga Artan Lame
Meqë marr vesh nga letrat e vjetra, po them edhe unë dy fjalë për punën e Nexhmies Fashiste, me frikën të mos konsiderohem komunist, apo nexhmist.
1. Dokumentin që ka publikuar Kastriot Dervishi (që e kam mik dhe nuk shkruan broçkulla) e gjykoj origjinal, se kam lexuar edhe shumë komente se është false.
2. Në atë dokument, Nexhmie Xhunglini nuk del e regjistruar në Partinë fashiste, por në Rininë Fashiste Shqiptare. Kjo organizatë ishte bijë e Partisë Fashiste, ashtu sikurse ishte organizata e gruas e kështu me radhë. Të gjitha këto organizata janë identike me ato të epokës komuniste, ku Partia Komuniste kishte bijat e saj, Organizatën e Pionierëve, atë të Rinisë, të Gruas etj. Prova e njëmijtë kjo, që ekstremet puqen dhe diktaturat pavarësisht nga ngjyrat, janë njësoj.
3. I kthehemi dhe njëherë dokumentit. Dokumentet zyrtare në periudhën italiane ishin dygjuhëshe, shqip dhe italisht, siç është edhe dokumenti në fjalë. Aty thuhet qartë që personi në fjalë është “regjistruar në komandën e R.L.SH”, pra Rinia e Liktorit Shqiptar, term që gjendet edhe në pjesën italishte të intestacionit, ku thuhet “Comando della G.L.A.” (Gioventu del Littorio Albanese). Pra përfundimisht, dokumenti thjesht dëshmon që personi ka qenë anëtar i Rinisë Fashiste ku bënin pjesë praktikisht të gjithë të rinjtë e kohës, ashtu si anëtarë të rinisë komuniste kemi qenë të gjithë, përfshirë edhe unë e Kastrioti. Por, kjo nuk na bën anëtarë të Partisë Komuniste, e cila ishte histori tjetër. Ndaj, edhe të qenët në Rininë Fashiste, nuk e bën Nexhmien anëtare të Partisë Fashiste.
4. Të shkojmë te data e dokumentit: dokumenti thotë në tekst “viti XIX”. Viti XIX i erës fashiste mbaron në tetor 1941. Pra zor që të jetë data 10 nëntor 1941, kur viti fashist kishte përfunduar. Megjithatë në këtë pikë shprehem me pak dyshime, sepse duhet të kem akses në dokumentin origjinal për të saktësuar vulën datare.
5. Dokumenti nuk vjen nga një korrespondencë zyrtare, por si kërkesë personale e të interesuarës pranë institucionit. Dëshmon për këtë fakti që nuk ka numër protokolli, nuk ka referenca dhe lëndë dhe është thjesht me intestimin “vërtetim”. Kjo shpjegon faktin se pse dokumenti është gjetur te letrat e Enver Hoxhës. Pra të interesuarës i është dashur për ndonjë arsye ky vërtetim dhe e ka marrë nga institucioni.
Për çfarë mund t’i jetë dashur? Është e pafundme lista e halleve për të cilat duheshin këto lloj vërtetimesh, ashtu sikundër të tilla vërtetime na duheshin në kohën e Partisë së Punës. Ose edhe sot… Duhej për të marrë triskën e ushqimit, mund të jetë dashur për regjistrimin në shkollë, duhej për të marrë veshjen…, e kush e di për çfarë arsyeje tjetër të kësaj natyre.
Fundi i historisë:
Është dokument shumë interesat, qoftë nga pikëpamja historike, qoftë si dokument koleksionimi. Por gjithë emocionet që shpërthyen nga publikimi në rrjetet sociale të këtij dokumenti, duhet të shkojnë dëm, thjesht se nga ky dokument nuk dëshmohet se Nexhmia ka qenë anëtare e Partisë Fashiste.
Kjo nuk e bën atë as më të mirë dhe as më të keqe, por shërben për të na stërkujtuar që historia është shkencë dhe, si çdo shkencë, nuk bëhet me emocione folklorike. (Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb