Skuadra Red Bull vijon të dominojë në botërorin e Formula 1, duke arritur sot në Azerbajxhan një tjetër fitore të dyfishtë me pilotët e saj. Meksikani Sergio Perez fitoi garën e zhvilluar në pistën qytetase të Baku (e dyta sezonale), duke përsëritur suksesin e një dite më parë në garën sprint.

Në vendin e dytë u rendit kampioni i botës në fuqi, holandezi Max Verstappen, duke lënë pas monogaskun Charles Leclerc me Ferrari. Edhe pse ky i fundit e nisi garën nga “pole”, shpejt e dorëzoi kreun dhe më pas u detyrua thjesht të bëjë një garë menaxhuese, duke korrur podiumin e parë sezonal.

Verstappen e kishte garën nën kontroll pas 12 xhirove të para, moment kur në pistë hyn makina e sigurisë pas një aksidenti. Ky është momenti që vendosi fatin e garës, me Perez që përfitoi nga kjo situatë për të ndërruar gomat dhe marrë kryesimin, që nuk e dorëzoi deri në fund.

Verstappen nuk ishte në gjendje ta parakalojë dhe u mjaftua me vendin e dytë. Mirë u paraqit edhe Ferrari, më i shpejtë e konkurrues, duke lënë pas Fernando Alonso (i katërti). Në vendin e pestë u rendit spanjolli Carlos Sainz me Ferrari e pas tij Leëis Hamilton me Mercedes. Në zonën e pikëve edhe Stroll, Russell, Norris e Tsunoda.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb