Mehmeti, një “shkrirje” mes Gegës dhe Dajës. Ja cili është trajneri i ri i Partizanit
Plani i Partizanit në këtë moment është që t’ia lërë frenat e skuadrës Dritan Mehmetit. Një njeri “i familjes së kuqe”, pasi ka qenë dikur edhe asistent i Skënder Gegës në sezonin e titullit.

DRITAN MEHMETI
Njerëzit që kanë punuar me Mehmetin e konsiderojnë një “shkrirje” mes Skënder Gegës dhe Ilir Dajës. Për të qenë korrekt: ai ka profilin e tij dhe u shkon deri në fund ideve të veta, por ka cilësi që ngjasojnë me dy trajnerët që kanë punuar së fundmi tek kryeqytetasit.

HARMONI NË GRUP
Dritan Mehmeti është tipi i trajnerit që përpiqet t’i marrë më të mirën grupit. Përpiqet të krijojë gjithnjë raporte korrekte dhe të sinqerta me lojtarët, por është shumë kërkues ndaj tyre. Një ndër gjërat që spikasin në punën e tij është që të mos eksperimentojë me rolet e futbollistëve, pra dëshiron që secili lojtar të luajë në pozicionin natyral. Nuk hyn te “gjeneralët” që veprojnë me dorë të hekurt, edhe pse i pëlqen që askush të mos e diskutojë autoritetin e tij në skuadër. Në këtë pikë duket se “ka marrë” shumë nga Skënder Gega.

INOVATOR
Ka drejtuar dikur Dinamon si trajner i parë, por ishte koha kur blutë “notonin” në Kategorinë e Parë me shumë probleme. Më pas edhe Korabin e duke vazhduar si asistent te Partizani. Por, 41-vjeçari Mehmeti është gjithnjë në përmirësim edhe të vetes së tij. Njerëzit që punojnë me të thonë se studion shumë, është pasionant dhe elastik në zgjedhjet që bën.

Ai përpiqet që idetë e tij t’ua transmetojë me këmbëngulje futbollistëve derisa ata t’i përvetësojnë. Duket sikur këtu “anon” pak më shumë nga Daja, por jo aq i rreptë sa Iliri. Ndër skemat që ka provuar në të kaluarën janë 4-3-3 dhe 4-4-2. Nuk i pëlqen t’i presë kundërshtarët, por as të kalojë në aventurë duke rrezikuar të dalë pa pikë në një ndeshje./Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: