Laçi luan të premten ndeshjen e javës së 23-të të Kategorisë Superiore ndaj Erzenit në transfertë në “Niko Dovana”, me sfidën, që nis në orën 16:00. Kurbinasit janë në përpjekje e sipër për të mbajtur ritmin e skuadrave më lart dhe për të përfituar nga hapat e mundshëm fals të tyre.

Të paktën në këtë sezon, Laçi po tregon se po e humbet çdo ditë e shumë epitetin e skuadrës së fushës. Skuadra e drejtuar nga Gentian Mezani nuk mund të quhet më një ekip fushe. Në dy ndeshjet e fundit në fushën e tyre kurbinasit kanë pësuar dy humbje ndaj Egnatias dhe së fundmi ndaj Bylisit.

Ata vinin pas tri fitoreve radhazi dhe dy humbjet e fundit në shtëpi kanë krijuar pa dyshim një pasiguri momentale, që duhet të shuhet me patjetër në ndeshjen e radhës. Kurbinasit kanë humbur në këtë mënyrë një mundësi shumë të mirë për t’u afruar me ekipet e kreut. Bardhezinjtë kanë pësuar plot gjashtë humbje në ndeshjet në shtëpi, teksa vetëm Kukësi ka bërë kaq keq sa kurbinasit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb