DURRËS

Policia e Durrësit ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale në familje duke arrestuar në flagrancë një 42-vjeçar që ushtronte dhunë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij dhe e kanosi atë me thikë.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, pas kallëzimit të marrë nga shtetasja J. Sh. se bashkëshorti i saj e dhunonte vazhdimisht dhe e kishte kanosur me armë të ftohtë (thikë), kanë organizuar punën për kapjen e autorit të dyshuar.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur parandalimi i ngjarjes së mundshme kriminale në familje, pasi ky shtetas e ka dhunuar vazhdimisht bashkëshorten e tij dhe e ka kanosur atë se do ta vriste me mjet prerës (thikë).

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. Sh., 42 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur një armë sportive (pushkë), e cila u sekuestrua së bashku me thikën, në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb