Ish-deputeti socialist Arben Malaj ka njoftuar se do të kandidojë si i pavarur në zgjedhjet e ardhshme vendore për kryetar bashkie në Vlorë.

I ftuar në emisionin Studio24News24, Malaj u shpreh se vendimi për të kandiduar është marrë tashmë, pavarësisht vështirësive që lidhen me kuadrin ligjor për financimin politik.

Ai theksoi se kandidimi i tij vjen si një detyrim moral dhe mirënjohje ndaj qytetit të Vlorës, ku ka pasur një angazhim të hershëm politik ndër vite. Malaj kujtoi se ka kandiduar për herë të parë për kryetar bashkie në vitin 1992, si dhe për deputet në vitin 1996, ndërsa ka mbajtur edhe poste ministrore.

Gjithashtu, ai rikujtoi kandidimin si i pavarur në vitin 2013, ku sipas tij arriti të marrë 3670 vota, më shumë se disa parti të tjera së bashku.

“Gjithë përvojën dhe njohuritë e mia nuk do t’i mbaj për vete, por do t’i vë në shërbim të qytetit,” u shpreh Malaj, duke shtuar se kandidimi i tij synon të japë një kontribut konkret për zhvillimin e Vlorës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb