TIRANE- Miratimi i ligjit për shërbimin e jashtëm gjatë ditës së sotme në kuvendin e Shqipërisë konsiderohet shumë problematik nga ana e zonjës Edith Harxhi, ish zëvendës ministre e punëve të jashtme dhe aktualisht drejtuese ekzekutive e “Albanian Policy Center”.

Duke folur në emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në televizionin News 24, zonja Harxhi shprehet se nëpërmjet këtij ligji që është kundërshtuar edhe nga vetë maxhoranca në komisionin e jashtëm, pasi rrëzohet sistemi i gradave.

“Këtu flasim për një sistem që është formuar në vitin 1992 pas ndryshimeve të mëdha. Kuptohet që sistemi ynë diplomatik që vinte nga periudha e diktaturës ishte një sistem krejtësisht i politizuar, ishte sistemi diktatorial dhe kuptohet që në vitin 1992 me ndryshimet e mëdha ndryshoi edhe sistemi i jashtëm. Që nga ajo periudhë e deri më sot, ka vazhduar bindshëm depolitizimi i sistemit pavarësisht ndryshimeve në momente të caktuara në vitin 1997, apo largimit afërsisht të 150 punonjësve të shërbimit të jashtëm brenda një dite apo futjes në sistem të ish ambasadorëve që kanë punuar gjatë kohës së Enver Hoxhes. Pavarësisht të gjitha këtyre sistemi kishte nisur depolitizimin dhe ishte ngritur një piramidë gradash. Tashmë me vendosjen e ligjit të ri kjo piramidë gradash bjen” deklaron zonja Harxhi.
Sipas saj komisioni i jashtëm ka votuar për herë të parë unanimisht kundër një neni të posaçëm që është neni për heqjen e kuotës së përfaqësimit në përfaqësitë diplomatike. Deri tani kemi pasur një sistem kuote që është vendosur 15 vite më parë e cila ka qenë 20 përqind jashtë trupit diplomatik dhe 80 përqind brenda trupit diplomatik. Pavarësisht problemeve që mund të ketë pasur të gjitha forcat politike deri para dy vitesh janë munduar që ta mbajnë të unifikuar sistemin e jashtëm shprehet ish zëvendës ministrja e punëve të jashtme, Edith Harxhi.

“Do të doja t’i përgjigjesha zotit Bushati që nuk jam dakord me të. Nuk është e vërtetë që me anë të këtij ligji përligjet sistemi i gradave apo sistemi i gradave vlerësohet edhe më tepër. Mendoj që përfundimisht nuk do të kemi më sistem gradash për sa kohë ne do kemi prurje të reja nga jashtë. Atëherë nuk do të kemi më një piramide gradash në sistemin e jashtëm dhe kjo do të përbëjë një problem shumë të madh, sepse në këtë mënyrë shkohet drejt politizimit total.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: