Në Elbasan ka nisur takimi i tretë i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrative Territoriale, në kuadër të dëgjesave publike me qytetarët, përpara hartimit të propozimeve konkrete për reformën.
Bashkryetari i Komisionit, Luciano Boçi, theksoi rëndësinë e këtyre dëgjesave si baza reale për vendimmarrje politike, duke nënvizuar se politikat e qëndrueshme duhet të burojnë nga problemet konkrete të qytetarëve dhe jo nga vendime të shkëputura nga realiteti.
Boçi pranoi se prania e tij në këtë proces mund të perceptohet si e ndërlidhur me qytetin, por e cilësoi këtë si një vlerë të shtuar: si banor, si politikan i formuar në Elbasan dhe si pjesë e botës akademike, ai argumentoi se përfshirja e drejtpërdrejtë rrit përgjegjësinë dhe cilësinë e debatit.
Ai ngriti shqetësime konkrete mbi pasojat e reformës së vitit 2014–2015, duke përmendur mungesën e investimeve në bujqësi, nivelin e ulët të shërbimeve publike dhe mungesën e përfaqësimit për zona të tëra, veçanërisht në zonat rurale. Sipas tij, këto problematika kanë ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e jetës së qytetarëve dhe në rritjen e fenomenit të shpopullimit.
“Pyetja thelbësore është: a e lehtësoi kjo reformë jetën e qytetarëve? Të gjitha raportet ndërkombëtare dhe vëzhgimet vendase tregojnë se jo,” u shpreh ai.
Boçi theksoi se reforma territoriale nuk duhet parë thjesht si një ndryshim hartash, por si një instrument për të përmirësuar modelin e qeverisjes vendore, duke e bërë atë më afër qytetarit dhe më efikase në ofrimin e shërbimeve.
Në këtë kuadër, ai deklaroi gatishmërinë e Partisë Demokratike për të mbështetur çdo ndryshim ligjor që forcon kompetencat e pushtetit vendor dhe rrit autonominë e tij, por duke e lidhur këtë domosdoshmërisht me një rishikim të hartës territoriale.
Sipas tij, kjo nuk është një çështje politike apo partiake, por një kërkesë e drejtpërdrejtë e qytetarëve për më shumë përfaqësim dhe shërbime më cilësore.
Në fund, Boçi sqaroi se reforma territoriale nuk është një detyrim i drejtpërdrejtë i procesit të integrimit europian, por mund të ndikojë ndjeshëm në rritjen e eficiencës në përdorimin e fondeve dhe në përmirësimin e qeverisjes vendore.
