Për Elbasanin, ndeshja e kësaj të hëne ndaj Vllaznisë nuk është thjesht një sfidë e radhës. Është një moment vendimtar, një “akt i fundit” për të mbajtur gjallë pretendimet për titull.

Duke luajtur në shtëpi dhe përpara tifozëve të tyre, verdheblutë nuk kanë alternativë tjetër përveç fitores. Dalja nga Kupa i hoqi Elbasanit një mundësi konkrete për të fituar një trofe këtë sezon. Ky eliminim jo vetëm që solli zhgënjim, por edhe e detyroi skuadrën të përqendrojë gjithë energjitë tek kampionati. Tashmë çdo ndeshje merr vlerë maksimale dhe nuk ka më hapësirë për gabime. Kjo ndeshje nuk është vetëm për pikët. Është për të mbajtur gjallë ëndrrën, për të treguar karakter dhe për të provuar se Elbasani është ende në garë për titull. Të hënën, në shtëpi, verdheblutë luajnë gjithçka.

RREZIKU I DISTANCËS – Llogaritë janë të thjeshta dhe të ashpra. Nëse Elbasani humbet ndaj Vllaznisë, diferenca do të shkonte në pesë pikë, një hendek që në fazën e rregullt të kampionatit bëhet praktikisht i pakapërcyeshëm. Me ritmin aktual dhe numrin e ndeshjeve të mbetura, rikuperimi do të ishte tepër i vështirë. Në një skenar negativ, shpresat do të mbeteshin vetëm te faza “Final 4”, ku pikët përgjysmohen dhe gara rihapet në letër. Por edhe kjo mbetet një rrugë e pasigurt. Edhe pse diferencat zvogëlohen, presioni dhe forma e skuadrave në atë moment mund ta komplikojnë situatën edhe më shumë. Pikërisht për këtë arsye, përballja me Vllazninë merr një peshë të jashtëzakonshme. Një fitore do ta mbante Elbasanin në garë dhe do të jepte një shtysë të fortë morale. Një humbje, përkundrazi, do ta vendoste skuadrën në një situatë shumë të vështirë, pothuajse jashtë objektivit kryesor.

GRUPI I PLOTË – Në prag të kësaj sfide vendimtare, ka edhe lajme pozitive për Elbasanin. Skuadra do të jetë e plotë, pasi rikthehen nga pezullimi Emiljano Musta, Xhonatan Lajthia dhe Arsen Kasa, të cilët munguan ndaj Teuta Durrës për shkak kartonësh. Prania e tyre rrit ndjeshëm cilësinë dhe alternativat në formacion, duke i dhënë skuadrës më shumë stabilitet dhe besim për këtë përballje kaq të rëndësishme. Sakaq, Martin Janaçek dhe Bruno Lulaj vijojnë dëmtimet e tyre të gjata.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: