Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi.

Mes të tjerash, Spiropali shkruan se Bashkë me Presidentin Rugova, Bukoshi ishte nga luftëtarët e mëdhenj ëndërrimtarë të Kosovës dhe për Kosovën Republikë.

“I trishtueshëm lajmi për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi.

Aktor në rreshtin e parë të skenës së historisë moderne të Kosovës dhe dëshmitar i dorës së parë, Bukoshi është ndër njerëzit simbol të së shkuarës së afërt të Kosovës dhe projektimit të së ardhmes së saj, e cila erdhi.

Bashkë me Presidentin Rugova, Bukoshi ishte nga luftëtarët e mëdhenj ëndërrimtarë të Kosovës dhe për Kosovën Republikë.

Rezistenca, sqima dhe veprimtaria e tyre fituan mbështetje të gjerë Perëndimore dhe u prinë ngjarjeve të mëdha, lirisë, pavarësisë dhe shtetit demokratik të Kosovës.

Ata dhe patriotët që i mbështetën besuan se fuqia qëndron tek e drejta, dhe se e drejta e sakrifica janë fuqia e vërtetë e një populli.

Respekt dhe mirënjohje për këtë njeri-simbol!  I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!” – tha Spiropali.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb