NGA FATMIRA NIKOLLI

TIRANE- Në vjeshtën e shkuar ne bëmë një ‘udhëtim’ në Tiranën e vjetër, atë copë Tirane që gjendet mes vilash që bartin histori, diku në rrugën “Kont Urani”. Sa shumë histori në pak vend. Aty është vila e Nepravishtave, matanë është ish-Radio Tirana dhe një vilë e bukur italiane, po aty janë dy vila të kohës së Italisë që po bien, në të djathtë është një pallat i kohës së italianëve që na pushtuan si dje 77 vite më parë, po aty duket hotel ‘Ferrara’, që u ndërtua që në fillim për të qenë një shtëpi publike. Ajo “shtëpia e turpit” siç na thoshin banorët e zonës, sot ka mbetur si zgërdallë, ndërkohë që Eljan Tanini mendon se ajo do të qëndronte shumë mirë si një muze i erosit. Pak hapa më tutje është një shtëpi e 1800-ës që ka ikur shtrembër, është sheshi Bukureshti, është shtëpia e një doktori të kohës së fashizmit e diç më tutje, që ka një oborr të madh.

Përballë, është një shtëpi me stil otoman e me fasadë mesdhetare e 1914-1916-ës që po ashtu ka ikur shtrembër dhe sa hap e mbyll sytë sheh edhe një hotel dykatësh, një ndërtesë gjysmë harku, ndërtuar për të qenë vetëm hotel, herët shumë herët. Kjo është përciptaz rruga “Kont Urani”, që do të qëndronte shumë mirë si shëtitore, me trotuare të vogla, me mimoza të mëdha, me shtëpi nga dy krahët që e ruajnë ende aromën e rregullit dhe të arkitekturës italiane, edhe pse shumë syresh janë si skelete të zhveshura. Në një cep të kësaj rruge në Hemingway ka marrë formën që ka, libri “Pa pik”(Botimet Poeteka) i Eljan Taninit, një rrëfim 7-vjeçar në vargje i copëzave të kujtimeve, të qytetit, të fëmijërisë, të memories dhe të çudive me vulë shqiptare. Rrëfimet nisin e përfundojnë pa pika, pa presje, si një rrëfim i pandalshëm, përmes radhësh që ndalen veçse në fund. Tek-tuk, ndërhyjnë disa skica. Në këtë libër Tanini shkruan diku “të hapen shtëpitë publike, të shqyhet çelja e hotel “Ferrarës” në rrugën “Kont Urani”.

“Duke qenë se ka kaq shumë histori, emocionohesh kur sheh disa detaje në këtë rrugë, ku grindesh e zihesh, kur dashurohesh më shumë kur flet për historinë e rrugës e godinave të saj, që banorët shpesh nuk e dinë. Ke dëshirë që ajo të kthehet në një shëtitore, por që nuk e bëjnë se do bëhen ca pallate më tutje e më poshtë”, shton ai. A mundet të fshihet nga faqja e dheut ish-Radio Tirana, vila e Nepravishtave, apo hotel “Ferrara”? Mundet, ne e kemi bërë edhe më parë.

TË SHKRUARIT
“E dua depresionin tim, më bën të shkruaj, ndërsa lumturia jep dorën e fundit” shkëputur nga libri “Pa pik” shërben si ngacmim për të pyetur Taninin pse shkruan. “Unë shkruaj për gjërat më të thjeshta të mundshme, që duket sikur ikin nga e përditshmja, e struken anës cepave të mi. Mund të shkruaj për hapat e gjyshes, për mbylljen e një dere, edhe hapjen e saj, për tingullin që lëshon”.

Pyes në kjo e çliron dhe përgjigja është se tani që ka mbaruar librin është plot me bosh dhe nuk ulet dot të shkruajë asgjë. “Jam marrë 7 vjet me të- me një gjë që nuk doja ta qëndisja as ta bëja perfekte. Kam mbledhur të gjitha copëzat se ashtu i kisha menduar. Pa lustra, pa tinguj, pa përkëdhelje. Doja ti mbaja siç janë. E vetmja pikë e madhe në libër është titulli. Por fakti që është ‘pa pik’ e ka pikën. Po aty është edhe e vetmja shkronjë e madhe, brenda gjithçka është me shkronja të vogla. Ka edhe një letër dashurie të gjatë që nuk u nis kurrë. U detyrova ta vizatoja brenda. Të gjithë vargjet kanë muzikalitetin e vet. Duan përqendrim sepse ndryshe nuk munden të kuptojnë gjë”. Libri në fakt, flet edhe për parkun e liqenit, për yjet, për gjyshen e tij që e do shumë, për fëmijërinë, për median, për Tiranën, për kujtesën ose atë që e quajmë memorie kolektive, për 26 lloje rakish, për shishet plastike që kërcasin rrugëve, për aeroplanët prej letre, për dritat që ende ikin, për spektaklin e bërë modë në shoqërinë e klientelzimit, për kohën e tij hedhurinë ku e gëzon vetëm lumturia në sytë e gjyshes, për të ngrohtën kur fëmijët kujdesen të mbulojnë arushat para gjumit. Në të Tanini është i qetë dhe çlirët, pa tjetrin përballë- tashmë tjetri është përballë letrës, jo përballë tij.

“Edhe unë jam i ndrydhur. E kam parë librin si të vetmen formë për ti thënë gjërat siç dua unë, ti shkruaj. Më pas ka ardhur një shkollë e Arian Lekës që ka përshtatur skicat brenda. Unë doja foto, ai skica dhe më pas kuptova se si shkojnë skicat me mendimin”. Nga libri shkëpusim: “Mua më vjen të plas, të thërras se nuk bëra dot më shumë se kaq, me biçikletë do të bëjmë shtet prandaj mos e bëj heshtjen tënde ëmbëlsi sistemesh, bëhen ngushëllimi im pa asnjë shpërblim…” Duket e qartë, por prapë pyes se çfarë e bën atë të plasë. “Më bën të plas kur dikush sheh atë që nuk shkon, ke një farë mundësie ta parandalosh, ose të përpiqesh, ose më së paku të reagosh. E sheh se çfarë ndodh përreth- liqeni thahet, atje mbillet beton dhe ti bën indiferentin- edhe pse e di se çfarë do të ndodhë vërtetë. Rreziku më i madh janë këta njerëz. Kjo mosfolja, heshtja, mbyllja e gojës më shqetëson. Kështu shtohen mëkatet tona çdo ditë. Të mos flasësh është mëkati parë”. A mungon reagimi/reagimet sepse njeriu është i pafuqishëm përballë pushtetit/ pushteteve? Eljani thotë se heshtësit mendojnë se bëjnë punë më të mira se ta që protestojnë ose dalin rrugëve të qytetit.

“Unë kam mësuar se të jesh një njeri me personalitet të plotë duhet ta duash edhe sistemin, por duhet edhe të reagosh kundër tij. Ndaj është slogani ‘mos e bëj heshtjen tënde ëmbëlsi sistemesh’. E pushtetshmja është bërë vetëm një set fotografish të bukura e kopjace. Ndërsa arroganca është në pikën e vet më të zezë sepse e fluturon njeriun e varfër”.

NJERIU I VOGËL
“Në mëngjes kur dal nga shtëpia jam më i gjatë, në darkë kur kthehem bëhem më i shkurtër”, shkruan ai në librin “Pa pik”. E pyes nëse janë trysnitë që e bëjnë të vogël, dhe ai disi pohon. “Tani që po flas e ndjej veten më të fuqishëm. Ndërsa në darkë ndjehem shumë i vogël, i shkurtër, i ngecur, i futur në një shishe të ditës. Unë nuk jam i gjatë, por në darkë ndjehem i vogël, i pafuqishëm. Nuk po tehem të kërkoj më shumë nga e përditshmja ime, por ka njerëz që të hedhin trysni. Megjithatë, po të mendosh pak më shumë se ndryshe mund të vish pak i lartë e pak më i gjatë”. Mbase shpesh, pa e kuptuar e përditshmja të ha, të konsumon, të lodh, por kësaj, Tanini i përgjigjet ndryshe: “Që ajo të mos ushqehet me ty e me mua, kërkohet edhe ti lëvizësh veprimet. Por, ndonjëherë që ti bësh të gjitha gjërat vetë është e lodhshme. Ky libër është një mënyrë për të thënë çfarë gjërash nuk shkojnë. Ato duhen thënë, që të duhet se ka një mendim ndryshe, tjetër”.

NIPI I GJYSHES
E ka përmendur disa herë gjyshen në bisedë. Herë në kujtime, herë në këshilla, si këshilla që me këtë ritëm “gjyshja më thotë se do ngelësh pa grua”. Në fund pyes se sa e ka përcaktuar gjyshja Eljanin që është sot. “Ajo më ka rritur mua. Tek ai park i liqenit ku ne protestojmë, unë kam luajtur pafundësisht. Edhe në atë vend ku ka problem me betonin. Mbaj mend një dorë të djersitur që më kapte në rrugën e ambasadave. Aty ishte ëndrra ime për t’u bërë polic që diku humbi. Në të gjitha këto vendet ku ne ecim sot nëpër qytet, kam kujtime fëmijërie të rritura me mua dhe me gjyshen time”. Eljani thotë se mban mend ende që gjyshja dikur bënte çmos që t’i bënte një jelek të kuq siç e donte ajo dhe ai e ka ende jelekun. “Fëmijëria ime është: Unë dhe gjyshja. Ajo është më shumë se nëna dhe babai. Ajo nuk më ka folur shumë, por më ka shëtitur shumë dhe më ka bërë të fiksohem për memorien kolektive. Nuk kaloj kohë pa e kujtuar atë, erën e mirë të jaseminit në dollap, sapunin 20 lekësh, apo rrobat e bardha që më ka mësuar ti laj”.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: