Një lajm që pritej, por që i ka bërë të gjithë fansat e futbollit të buzëqeshin: Christian Eriksen largohet nga spitali i Kopenhagen pas operacionit të suksesshëm në zemër dhe rikthehet pranë gjirit familjar.

Kjo është konfirmuar nga Federata Daneze e Futbollit, e cila nëpërmjet një deklarate zyrtare shkruan:

“Christian u operua me sukses nga operacioni në zemër. Gjatë ditës ai është takuar me shokët e tij të përfaqësueses e tani është gati të kthehet në shtëpi, për të qëndruar pranë familjes”, shkruhet në njoftimin e Federatës.

Sakaq, zbulohet dhe fjalët e mesfushorit, pas operacionit, të transmetuara këto, nga vetë federata:
“Falë mbështetjes tuaj të madhe e kalova këtë sfidë. Ishte e pabesueshme të shihja e të dëgjoja aq shumë mbështetje.

Operacioni shkoi mirë, jam duke e marrë veten e po tregohem i kujdesshëm. Ishte fantastike të shikoja sërish djemtë e kombëtares duke luajtur, ndërsa tani, jam i koncentruar maksimalisht për të bërë tifo për ta në ndeshjen e së hënës ndaj Rusisë.

Kujtojmë se Eriksen, të shtunën që lamë pas pësoi arrest kardiak në fushën e lojës, në sfidën debutuese ndaj Finlandës në “Euro 2020”. Mesfushori, arriti të mbahej në jetë e ta kalone sprovën e rëndë, falë ndërhyrjes së menjëhershme të shokëve të skuadrës dhe stafit mjekësor.

Të shumtat janë zërat që e shohin Eriksen larg fushave të blerta, ndërsa pritet që në javët në vijim, fantazisti t’i nënshtrohet analizave mjekësore më të thelluara, për të parë ecurinë e ritmit të zemrës së tij.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb