Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat që kanë mbushur bulevardin në muajt e fundit, duke gjetur fajtorin e duke ia hedhur fajin administratës, duke u shprehur se pakënaqësia e qytetarëve lidhet kryesisht me përvojën e tyre me administratën publike.
Në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, Rama tha se qytetarët kërkojnë gjithnjë e më shumë llogari nga qeveria dhe janë bërë më pak tolerantë ndaj problemeve të përditshme.
“Populli na kërkon llogari më shumë se sa do të donim ne për gjithçka që duhet bërë e nuk na vlerëson për ato që ke mi bërë. Bezdiset kur i tregojmë ç’kemi bërë por na tregon sa lart duhet të ngjitet me ose pa ne.
Sa më i madh e i fortë të jesh përballë kësaj të drejte aq më i rrezikuar je, qofsh edhe Edi Rama apo PS.
3 mandate folëm me gjuhën e fakteve, ato janë e do të mbeten aty, dëshmitare për transformimin.
Ne lart kishim faktet, njerëzit poshtë kishin përjetimin.
Në atë protestë kishte ndërhyrje brutale të huaj, video të deformuar dhe lajme të rreme, aktorë të vënë në dispozicion për të shumëfishuar zemërimin.
Asnjë prej tyre, e as të gjitha bashkë nuk ishin zemra e manifestimin spektakolar që ktheu bulevardin në hendekun më të dukshëm mes fakteve tona dhe përjetimit të njerëzve. Përgjigja për themelin e hendekut nuk duhet parë në pjesët e bashkëngjitura por konflikti me përvojën e përgjithshme. Njerëzit presin çdo ditë e më shumë e bëhen më pak tolerantë, duam apo jo ne. Sidomos pas përjetimeve të hidhura me administratën, që e derdhi pikën në bulevard”, tha ai.
