Vijon operacioni i koduar “Fati i lojërave” në Tiranë, ndërsa policia ka goditur një tjetër rast të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të kontrolleve të bazuara në informacionet operative, kanë konstatuar se në një lokal në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu” zhvillohej aktivitet i paligjshëm i basteve sportive.

Për këtë rast u arrestua në flagrancë administratori i subjektit, shtetasi S. Z., 54 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, uniformat blu sekuestruan 3 celularë, në të cilët ishin të aktivizuara faqe për vendosjen e basteve sportive.

Operacioni “Fati i lojërave” vijon në disa zona të kryeqytetit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të tjera të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb