Fermeri i Korçës qe uroi Kryeministrin ta “gëzosh mandatin e katërt” megjithëse “nuk kishte marrë akoma dokumentet e tokës edhe punonte se nuk i dilte pensioni, më kujtoi një histori që e tregoj kur dua thjeshtësisht të shpjegoj nga ndryshon varfëria nga mjerimi.
Sulltani në një nga udhëtimet e tij në Ballkan, ndalon në zonat e Vilajetit te Janinës. Në një takim me përfaqësues të shqiptarëve, Sulltani kërkoi të dëgjonte kërkesat e shqiptarëve.
Asnjë nuk fliste, megjithëse suflerët e tij po i cysnin shqiptarët të flisnin. Njëri prej tyre, më plaku, vendosi te flasë – “Madhëria juaj, na lumturuat me ardhjen tuaj, por sidomos me kujdesin e treguar ndaj nesh. Zona jonë ndahet në mes nga një lumë, të cilin na duhet ta kalojmë herë pas here. Fëmijët na mbyten, gratë shpesh vdesin nga ftohja. Vini dorën ne zemër edhe ndërtoni për ne një urë”.
Pasha! Filloni menjëherë punën për ndërtimin e urës për shqiptarët, urdhëroi Sulltani.
Ura u ndërtua, por ruhej me ushtarë.
Pas disa kohësh, Sulltani ndalon sërish në trojet shqiptare. Shqiptarët ishin njësoj të ndrojtur në takim me të. Por njëri morri guximin të fliste, kuptohet pas cytjes së suflerëve të Sulltanit.
“Madhëria juaj, urojmë të marrësh edhe nga ditët tona. Të jemi mirënjohës për ndërtimin e Urës, por një hall e kemi. Ushtarët tuaj, sa herë kalojmë Urën jo vetëm na kontrollojnë, por edhe abuzojnë me ne”.
Si? -U çudit sulltani! Pasha! T’u prihet koka gjithë ushtarëve që kanë abuzuar me shqiptarët! – ulëriu Sulltani.
Joooo Madhëri! Nxiton të sqarojë shqiptari (si fermeri) duke ju dridhur zëri. Nuk duam që Madhëria juaj të mbetet pa ushtri. Kërkesat jonë është më e thjeshtë, shtoni pak numrin e ushtarëve qe bëjnë roje tek Ura, që kur të na abuzojnë, mos presim gjatë në radhë!
Varfëria është çështje ekonomike. Mjerimi nuk është vetëm çështje ekonomike është mbi të gjitha çështje kulture!
(BalkanWeb)