Një fermer australian thotë se është me fat që është gjallë pasi zmbrapsi një sulm krokodili duke e kafshuar edhe ai kafshën. Rritësi i bagëtive Colin Deveraux ka kaluar një muaj në spital pasi u kafshua nga krokodili 3.2 metra i ujit të kripur në Territorin Verior.

Ai tha për ABC News se kafshoi qepallën e krokodilit në luftën e tij për të mbijetuar. Deveraux tha se sprova e tij filloi ndërsa po përpiqej për të ndërtuar një gardh pranë lumit Finniss muajin e kaluar.

Ndërsa po largohej, krokodili e “kapi” në këmbën e tij të djathtë, duke e tundur si një “kukull lecke” dhe duke e tërhequr në ujë. Deveraux i tha ABC-së se fillimisht u përpoq ta godiste krokodilin në brinjë me këmbën tjetër, përpara se të kafshonte zvarranikun.

“Isha në një pozicion kaq të vështirë… por rastësisht dhëmbët e mi kapën qepallën e tij. Ishte goxha e trashë, por e kafshova dhe ai më lëshoi. “U largova me hapa të mëdhenj deri kur mbërrita te makina. Ai më ndoqi për pak, ndoshta katër metra, por më pas ndaloi.”

Deveraux tha se përdori një peshqir dhe një litar për të ndaluar gjakderdhjen në këmbë, përpara se vëllai ta çonte atë 130 km në veri për në Spitalin Royal Darwin. “Nëse ai [krokodili] do të më kishte kafshuar diku tjetër do të kishte qenë ndryshe,” tha ai.

“Kjo do të thotë që unë duhet të ndryshoj atë që bëj. Kam ecur rreth atij vendi moçal për një kohë të gjatë duke rregulluar gardhe. Ngjarja më ka hapur sytë.”

Sipas pushtetit vendor, krokodilët janë baza për një industri të rëndësishme në Territorin Verior dhe mbrohen me ligj. Ato konsiderohen të jenë me interes të madh shkencor dhe njerëzor si dhe një atraksion i vlefshëm turistik. Sulmi i fundit fatal i krokodilit ndodhi në prill të këtij viti në lumin Kennedy në gadishullin Cape York, Queensland.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb