Kanë nisur fjalimet në protestën e radhës para Kryeministrisë, ku qytetarët vijojnë tubimin kundër qeverisë dhe kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.

Në fjalën e tij para protestuesve, aktivisti Edison Lika u ndal te zhvillimet e fundit që lidhen me drejtësinë, duke pretenduar se presioni i vazhdueshëm i protestës ka ndikuar në goditjen e personave të lidhur, sipas tij, me pushtetin.

Lika përmendi mes të tjerëve Ergys Agasin dhe drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, ndërsa deklaroi se pret që zhvillimet të prekin më tej Belinda Ballukun dhe më pas kryeministrin Edi Rama.

“A mendoni se do të ishte arrestuar Agasi nëse nuk do të ishte kjo protestë? Po drejtoresha e SHISH në arrest shtëpie? A mendoni se e radhës do të jetë Balluku pikërisht prej kësaj proteste? A mendoni se pas Ballukut radhën e ka Rama?”, u shpreh Lika.

Sipas aktivistit, vijimi i protestave dhe prania e përditshme e qytetarëve në shesh kanë dhënë rezultat dhe po dobësojnë gradualisht pushtetin e qeverisë.

“Qëndresa dhe rezistenca jonë në shesh i ka dhënë rezultatet e veta. Sot në Austri është kapur edhe Mërtiri me provat e inceneratorëve. Ditë pas dite e kemi gërryer pushtetin e kësaj qeverie”, deklaroi ai.

Lika e mbylli fjalën me një mesazh të fortë ndaj kryeministrit, duke pretenduar se Rama është gjithnjë e më i izoluar politikisht dhe se rënia e tij do të jetë e pashmangshme.

“Rama ka mbetur pa asnjë mik e aleat. Pastaj do të jetë shumë e lehtë të bjerë, ai është një tigër prej letre”, tha Edison Lika para protestuesve.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb