Personi që shihni në foto është 41-vjeçari Shklëzen Kastrati, i cili humbi jetën sot në një atentat me armë zjarri në Fier.

Ngjarja ndodhi në vendin e njohur si ‘Kthesa e Sheqit’ rreth orës 10:20. Gazetari Ervis Kuçi ka siguruar për ‘BalkanWeb’ foton e viktimës, baba i katër fëmijëve, ndërsa në pronësi kishte një lokal-bilardo në Fier. Mësohet se Kastrati është goditur nga një distancë e afërt, ndërsa dyshohet se autorët kanë përdorur një armë tip ‘Scorpion’ me silenciator. Ndërkohë që viktimën e kanë kapur dy plumba nga ana e pasagjerit, një në krah dhe tjetri në ballë.

Kujtojmë se vëllait të Shkelzen Kastratit, Kelment Kastrati, iu bë një atentat në janar të vitit 2016 në vendin e njohur si Mulliri i Artë. Në këtë atentat mbeti i vrarë Granit Kasa, ndërsa për ngjarjen u akuzua Ermal Binjaku. Mësohet se konfliktet mes fiseve kanë nisur në vitin 1994, kur është vrarë kushëriri i parë, Klement Kastratit. Sakaq, makina që mendohet se u përdor nga autorët, një ‘Range Rover’ u gjet e djegur në mbikalimin e Baltëzës në Mbrostar, ndërsa brenda tij u gjet një automatik.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb