I ftuar në emisionin “EUROMANIA” në News 24 me moderatoren Daljana Sejdia ishte trajneri i mirënjohur Mirel Josa i cili ka analizuar supersfidën e mbrëmshme Francë-Zvicër, me helvetët të cilët u kualifikuan për në çerekfinale:

“Franca hyri me siguri maksimale. Ne kemi parë për herë të parë një Francë që luante me tre mbrojtës. Kemi parë një Pogba që nuk ishte në gjendje të mirë pavarësisht se shënoi gol. Ai që shkëlqeu ishte Kante që vrapon shumë.

Mendjemadhësia e Francës i shkatërroi, Zvicra bëri ndeshjen e jetës. Kishte lojtarë që ishte si Xhaka, pasi i fundit që dha tek goli i tretë ishte një pasim “perlë”.

Pritshmëritë e Mbapesë ishin shumë të mëdha, ishin momente që ne e krahasuam edhe me Ronaldon. Problemi ishte psikologjik, sepse ai nuk po bënte atë që kishim pritshmëri.

Mbape do ta kalojë shumë shpejt këtë periudhë sepse luan me PSG dhe atje ka shokë dhe lojtarë që e mbështesin, ai mund të jetë kryqëzuar për mënyrën e lojës, por jo si lojtar.

Mbape i ka treguar vlerat e tij dhe çmimi i kartonit nuk do t’i ulet. E përjetova këtë sfidë si një surprizë, sepse Zvicra përjetoi një super sulm.

Seferoviç ka treguar në këtë EURO 2020 që është një sulmues klasik. Franca kishte një siguri, dhe hynë në fushë me shumë siguri, ne pamë që loja e Francës u rrit shumë sepse u vendos dhe ndryshe dhe u fut në pjesën e dytë me katër sulmues.

Me daljen me katër sulmues, i bëri pak bosh në mesfushë dhe mbeti vetëm Kante dhe aty çalonte pak në pjesën thyerse.”, tha Mirel Josa.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb